Tarifat dhe shpenzimet gjyqësore në drejtësinë e re, për çështjet civile, administrative dhe penale, janë qëllimi i një projektligji, i depozitar ditët e fundit në Parlament. Sipas projektligjit, i cili pritet të miratohet në ditët në vijim, tarifa gjyqësore e përgjithshme për çdo nivel gjykimi përllogaritet mbi bazën vlerës së çështjes gjyqësore civile, administrative ose penale. Konkretisht, qytetarët do të paguajnë 1% të vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të parë, 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të dytë dhe 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në Gjykatën e Lartë.

Ndërkaq, qytetarët do të paguajnë 5.000 lekë për gjykimin e ankimeve të veçanta, 2.500 lekë për gjykimin e kërkesave civile, administrative dhe penale, 5.000 lekë për paraqitjen e ankimit kundër vendimit penal në gjykatat e apelit, 5.000 lekë për paraqitjen e rekursit kundër vendimit penal në Gjykatën e Lartë si dhe 5.000 lekë për gjykimin e çështjeve penale në ato raste kur gjykata vihet në lëvizje me kërkesë nga i dëmtuari akuzues. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje, tarifa është 2.500 lekë.

Sipas nismës ligjore, nëse vlera e padisë nuk mund të përcaktohet, për shkak të natyrës së veçantë të mosmarrëveshjes, tarifa e përgjithshme gjyqësore është 5.000 lekë. Ndërsa, për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje vlera e tarifës është 2.500 lekë. Ndërkaq, tarifa gjyqësore e përgjithshme për paraqitjen e çështjeve gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese është 5.000 lekë. Kjo tarifë paguhet vetëm në ato raste, kur Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të individëve. Vlera minimale e tarifës gjyqësore të përgjithshme për shpërblimin e dëmit kontraktor dhe jashtë kontraktor është 700 (shtatëqind) lekë është deri në 700.000 lekë. Kur çështja gjyqësore kthehet për rigjykim nga gjykatat më të larta, nuk paguhet sërish tarifë gjyqësore e përgjithshme.

Përcaktimi i tarifave  
Sipas ligjvënëse propozues, tarifat janë përcaktuar me qëllim ruajtjen e ekuilibrit mes të ardhurave mesatare minimale të Shqipërisë nga një anë dhe sigurimit të drejtës për akses në drejtësi nga ana tjetër. Risi janë parashikuar në pikat 3-6 të nenit 4, ku parashikohet se paditësi është ai që përcakton vlerën e padisë dhe nëse kjo përllogaritje nuk është paraqitur në padi, gjykata e kthen padinë për plotësim. Vlera e padisë me objekt detyrime kontraktore mujore, gjashtëmujore, vjetore do të jetë ekuivalenti i pagesës që duhet shlyer për 12 muaj.

Projektligji parashikon në detaje dhe rastet kur mund të kthehet gjysma e tarifës gjyqësore të përgjithshme duke u nisur nga parimi që nëse palët nuk kanë përfituar në tërësi nga shërbimi gjyqësor për shkak se pala ndërgjyqëse tërheq padinë / ankimin ose kur çështja zgjidhet me pajtim mes palëve, atëherë kjo tarifë nuk ka pse të jetë e aplikueshme në tërësi. Mënyra e pagesës së tarifës gjyqësore parashikohet nga neni 10 i këtij ligjit ndërsa procedurat konkrete do të parashikohen nga një udhëzim i përbashkët i Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave si përfaqësuesit e organeve të përfshira drejtpërdrejtë.

Tarifat e reja gjyqësore në Shqipëri
 
1. Tarifa gjyqësore e përgjithshme për çdo nivel gjykimi përllogaritet mbi bazën vlerës së çështjes gjyqësore civile, administrative ose penale si më poshtë:
a) 1% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të parë;
b) 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të dytë;
c) 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në Gjykatën e Lartë;
d) 5.000 (pesëmijë) lekë për gjykimin e ankimeve të veçanta;
e) 2.500 (dymijepesëqind) lekë për gjykimin e kërkesave civile, administrative dhe penale;
f) 5.000 (pesëmijë) lekë për paraqitjen e ankimit kundër vendimit penal në gjykatat e apelit;
g) 5.000 (pesëmijë) lekë për paraqitjen e rekursit kundër vendimit penal në Gjykatën e Lartë.
h) 5.000 (pesëmijë) lekë për gjykimin e çështjeve penale në ato raste kur gjykata vihet në lëvizje me kërkesë nga i dëmtuari akuzues. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje, tarifa është 2.500 (dymijepesëqind) lekë;

2. Nëse vlera e padisë nuk mund të përcaktohet, për shkak të natyrës së veçantë të mosmarrëveshjes, tarifa e përgjithshme gjyqësore është 5.000 (pesëmijë) lekë. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje vlera e tarifës është 2.500 (dymijë e pesëqind) lekë.

3. Përcaktimi i vlerës së padisë bëhet nga personi, i cili ka ngritur padinë përpara gjykatës.

4. Në rast se përllogaritja e vlerës së padisë mungon, kjo konsiderohet si e metë e padisë dhe gjykata ja kthen atë paditësit për përcaktimin dhe përllogaritjen e vlerës së padisë.

5. Përcaktimi i vlerës së padisë në paditë e mbrojtjes së të drejtave të pronarit, si vlerë e padisë do të merret vlera e sendit që kërkohet t’i kthehet pronarit apo vlera e sendit që kërkohet të kompensohet.

6. Në rastin e detyrimeve kontraktore, që përbëhen nga pagesa periodike mujore, gjashtëmujore ose vjetore, vlera e çështjes përcaktohet bazuar në ekuivalentin e një pagese që duhet të shlyhet për 12 muaj.

7. Kur gjykata e shkallë së dytë gjykon si gjykatë e shkallës së parë, si dhe në ato raste kur Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar, tarifa e përgjithshme gjyqësore do të jetë e njëjtë me atë që zbatohet për gjykimet në shkallë të parë.
8. Për çështjet gjyqësore të parashikuara në Aneksin 1 të këtij ligji zbatohen tarifat e parashikuara në këtë Aneks. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit për këto çështje vlera e tarifës është sa gjysma e vlerës së tarifës së shkallës së parë.

9. Tarifa gjyqësore e përgjithshme për paraqitjen e çështjeve gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese është 5.000 (pesëmijë) lekë. Kjo tarifë paguhet vetëm në ato raste, kur Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të individëve.

10. Tarifat gjyqësore për gjykimet administrative në të gjitha nivelet janë sipas Aneksit 2 të këtij ligji. Paditë për shpërblimin e dëmit kontraktor dhe jashtë kontraktor, si dhe paditë për marrëdhëniet e punës që janë objekt i gjykimit administrative, tarifa e tyre për të gjitha shkallët e gjykimit administrative është sipas tarifave të përgjithshme për gjykimet e këtyre çështjeve nga gjykata civile për çdo shkallë gjykimi.

11. Vlera minimale e tarifës gjyqësore të përgjithshme është 700 (shtatëqind) lekë dhe ajo
do të paguhet në këtë masë për paditë me vlerë deri në 700.000 (shtatëqind mijë) lekë.

12. Kur çështja gjyqësore kthehet për rigjykim nga gjykatat më të larta, nuk paguhet sërish tarifë gjyqësore e përgjithshme.

13. Shpenzimet gjyqësore ne proceset civile, administrative dhe penale llogariten sipas legjislacionit procedural në fuqi.

14. Në procesin penal detyrimi për të paguar shpenzimet gjyqësore të përgjithshme është në ngarkim të të pandehurit nëse ai deklarohet fajtor dhe dënohet me vendim përfundimtar.

tabela

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com