"Drejtësia", Rama: Ambasadorët
 i ranë pragut, ta dëgjojë dera 

 i ranë pragut, ta dëgjojë dera ">
Ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin takuan sot grupin parlamentar të Partisë Socialiste në vijim të axhendës së tyre intensive për reformën në drejtësi. 

Gjatë kësaj mbledhje, kryeministri Edi Rama ka shprehur rëndësinë e reformës në drejtësi, ndërsa ka theksuar se Shqipëria nuk mund të mbijetojë pa Bashkimin Europian.
 
Ai ka theksuar se grupi parlamentar i PS mbështet projektin kushtetues të ekspertëve të EURALIUS e OPDAT. Shqipëria pa BE-në nuk mund të mbijetojë. Reforma do të miratohet në bazë të komisionit të Venecias. PS mbështet projektin Kushtetues dhe konsensusin me opozitën”, është shprehur Rama. 

Nga ana e tij, ambasadori amerikan, Donald Lu, ka qenë i prerë kur ka deklaruar se reforma në drejtësi duhet të miratohet pa humbur kohë. “Deputetët duhet të votojnë sa më parë reformën në drejtësi”, është shprehur ambasadori Donald Lu. 

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka thënë se PS është gati të votojë draftin e ekspertëve të EURALIUS e OPDAT.  “Partia Socialiste është angazhuar për të miratuar reformën në drejtësi brenda afatit”, është shprehur Ruçi.
 
Nga ana e saj, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin ka përsëritur se reforma në drejtësi është me rëndësi për integrimin e vendit në BE. “Reforma në drejtësi është një moment kyç për të ardhmen e Shqipërisë në BE”, ka thënë Vlahutin. 

Pas takimit me grupin e PS, ambasadorët Lu e Vlahutin morën pjesë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mbledhjen e drejtoi kryetari i i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, pasi kreu i kësaj force politike, Ilir Meta, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

16:25 Kryeministri Rama: Mesazhi i ambasadorëve, shkon për PD
Kryeministri dhe njëherazi kryetari PS, Edi Rama, u shpreh për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist me ambasadorët, se PS është e gatshme ta votojë reformën në drejtësi.
 
Shefi i mazhorancës theksoi se takimi i ambasadorëve me grupin e PS dhe deklaratat e tyre për reformën në drejtësi, janë mesazhe për Partinë Demokratike, që të sqarojë pozicionin e saj.
 
Sipas tij, po të varej gjithçka nga mazhoranca, reforma në drejtësi do të ishte votuar.
  
“Ambasadorët i bien pragut, ta dëgjojë dera. Dera nuk është këtu. Jemi tërësisht në mbështetje për të realizuar reformë në drejtësi. Po të ishte për ne, do të ishte votuar. Ambasadorët erdhën këtu, jo sepse kërkuan të marrin në dorë qeverisjen e Shqipërisë, as për të vënë kandidaturën për të drejtuar PS, as për të shprehur ndonjë nënvlerësim, apo përçmim për ne, siç u ngutën të thonë zëdhënësit e politikës më të vjetër, por sepse, përfaqësojnë 29 vende, SHBA e BE, të cilët në nivelet më të larta, që nga Presidenti Obama, te kancelarja Mergel, Sekretari Kerry, Mogherini e me radhë, e deri tek përfaqësuesit e tyre këtu, janë të interesuar për këtë reformë. Vizita e ambasadorëve ishte stacioni i parë i unazës për të mbërritur te dera. Këtu i ranë pragut, që ta dëgjojë dera”, u shpreh Rama.
 

Kreu i qeverisë, theksoi se SHBA pret një BE të fortë dhe pjesë e kësaj BE-je duhet të jenë dhe vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë.
 
“Presidenti Obama, në Londër, u shpreh se SHBA do një BE të fortë. Dhe pjesë e saj është dhe zgjerimi i vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë”, tha Rama.  
 

Duke iu referuar kushteve të PD për reformën në drejtësi, siç është reforma zgjedhore, Rama tha se dy çështjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
 
“Reforma nuk mund të kushtëzohet me asgjë. Lidhur me reformën zgjedhore ne jemi të gatshëm të diskutojmë, të negociojmë e të gjithë çdo rrugë që të çon më tej, për të patur zgjedhje sa më të mirë e sa më dinjitoze. Por se ç’lidhje ka kjo me reformën në drejtësi, hajdeni e ma tregoni”, u shpreh Rama.


 
Kreu i qeverisë shtoi gjithashtu se PS e LSI kanë qenë të gatshme për ta votuar reformën në drejtësi. Ai i kërkoi opozitës që propozimet e saj t’i paraqesë përpara tryezës së komisionit parlamentar.
 
“PS e LSI kanë qenë që në ditën e parë të vendosur për ta mbështetur këtë reformë. Sot po e shikoni vetë që edhe nuanca në qëndrime ka qenë një nuancë e lidhur me profilin e ndryshëm të forcave politike e detyrave tona në koalicion, por aspak me një luhatje apo qëndrim evaziv nga ne. Ne duam reformën në drejtësi. PD të ngrejë problemet që ka në tryezë. Nuk besoj se çdo gjë që PD thotë, është gabim, nuk besoj se në çdo gjë që ata ngrenë shqetësim e kanë gabim, por besoj se duhet të korrigjojnë një orë e më parë pozicionimin, duhet të qëndrojnë në tavolinë dhe duhet të jenë të gatshëm për reformën”,
deklaroi më tej, kryeministri Edi Rama.  

16: 10 Lu e Vlahutin: Reforma në drejtësi të miratohet brenda afateve
Menjëherë sapo kanë lënë mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin u shprehën se takimi i tyre me grupet parlamentare nuk është i pazakontë, pasi më rëndësi është miratimi i reformës në drejtësi brenda afateve.
 
Ambasadori amerikan, Donald Lu deklaroi se prania e tij në mbledhjen e grupit parlamentar, është shenjë e rëndësisë që ka reforma në drejtësi për qeverinë e SHBA.  
 
Nuk është e pazakontë të takohemi me grupet parlamentare. Jemi në udhëkryq të pazakontë për reformën në drejtësi. Prania ime sot këtu, është shenjë e rëndësisë së kësaj reforme për qeverinë e SHBA”, u shpreh ambasadori Lu.  

lu
(Ambasadori i SHBA, Donald Lu)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Studentët kundërshtojnë afatet e reja të punës me detyrim: Qeveria na injoroi! Do ta dërgojmë në Strasburg (VIDEO)

Studentët kundërshtojnë afatet e reja të punës me detyrim: Qeveria na injoroi! Do ta dërgojmë në Strasburg (VIDEO)