Anthony Fauci, ish-drejtori i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive (NIAID) dhe figura kryesore e shëndetit publik në SHBA gjatë pandemisë së COVID-19, është rikthyer në qendër të debatit pasi dy senatorë republikanë publikuan një pjesë të mesazheve të gjetura në telefonin e tij zyrtar. Pajisja iu dorëzua një nënkomiteti të Senatit nga Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, në kuadër të hetimit ndaj Fauci-t. Sipas senatorëve Rand Paul dhe Ron Johnson, telefoni përmbante më shumë se 34 mijë mesazhe dhe 522 mesazhe zanore, ndërsa deri tani janë bërë publike vetëm 11 komunikime.

Mesazhet datojnë në fund të janarit 2021, kur vaksinat kundër COVID-19 sapo kishin nisur të përdoren në SHBA dhe autoritetet ende nuk kishin të dhëna të plota për efektet e tyre te gratë shtatzëna. Në një bisedë, Vivek Murthy, pjesë e ekipit këshillues të presidentit Joe Biden për pandeminë, e pyet Fauci-n nëse kishte prova që tregonin nëse gratë shtatzëna duhej të vaksinoheshin më herët apo më vonë gjatë shtatzënisë.

Fauci përgjigjet se nuk kishte "asnjë të dhënë apo arsye teorike" që vaksinimi në fillim të shtatzënisë të ishte më i favorshëm se në një fazë më të vonshme. Megjithatë, ai shton se temperatura e lartë ose reagimi inflamator pas dozës së dytë të vaksinës "teorikisht mund të lidhej me abortin spontan në tremujorin e parë". Drejtoresha e atëhershme e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Rochelle Walensky, e cilësoi këtë si një "pikë të mirë", veçanërisht në lidhje me dozën e dytë.

Një ditë më vonë, Fauci shkruante se për çdo vaksinë ku mungojnë të dhënat për gratë shtatzëna "duhet të peshohen rreziqet e mundshme kundrejt përfitimeve". Ai theksonte se infektimi me COVID-19 mund të ishte veçanërisht serioz gjatë shtatzënisë, por shtonte se deri në atë moment më shumë se 10 mijë gra shtatzëna ishin vaksinuar dhe nuk ishin raportuar probleme.

Në gusht 2021, CDC rekomandoi zyrtarisht vaksinimin kundër COVID-19 për gratë shtatzëna, pasi të dhënat e mbledhura nuk gjetën rritje të rrezikut për abort spontan apo komplikacione të tjera. Edhe studime të mëvonshme, që përfshinë më shumë se një milion gra shtatzëna, arritën në përfundimin se vaksinimi nuk rriti rrezikun për nënat apo foshnjat.

Publikimi i mesazheve vjen në një kohë kur përplasja mes Fauci-t dhe republikanëve është intensifikuar. Javën e kaluar, një komision i Senatit votoi për ta referuar çështjen e tij në Departamentin amerikan të Drejtësisë, pasi Fauci refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve gjatë një seance dëgjimore duke u mbështetur te Amendamenti i Pestë i Kushtetutës. Republikanët e akuzojnë prej vitesh për mënyrën se si menaxhoi pandeminë dhe për deklaratat e tij mbi origjinën e koronavirusit, ndërsa demokratët e kanë cilësuar hetimin si të motivuar politikisht.