Drejtorë pa afat ose 'institucione pa kokë'?, pse nuk ndërrohen titullarët, Ministria e Kulturës: Ja kush drejton restaurimin e Galerisë, ç'do të ndodhë me Çelën, Koçin e Çulin

Ligji “Për Artin dhe Kulturën”, i jep titullarëve të institucioneve në varësi të Ministrisë së Kulturës mandat 4-vjeçar, ndërsa Vendimet  e munguara të Këshillit të Ministrave për lirimin e tyre u garantojnë vazhdimësi institucionale. Nuk është perfomanca e lartë shkas për zgjatjen afat të mandateve, e megjithatë Ministria pretendon se për çdo rast ka një motiv. Prej gushtit të vitit 2016-të në drejtim të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit e Ansamblit Popullor, Zana Çela po hyn në vitin e gjashtë të drejtimit të këtij institucioni. Por përse nuk është hapur konkursi për alternativa të reja?

“Ju të gjithë besoj e keni parë premtimin e kryeministrit kur u bë inaugurimi për paga më të larta për artistët e TKOB dhe Ansamblit Popullor”. Ne jemi pikërisht në fazën e riorganizmit dhe të analizës se si do të kryhet ky proces, për të ofruar jo vetëm kushte fizike dinjitoze, por edhe kushte për organizimi pune dhe shpërblimi shumë herë më të mira që ato kanë. Kjo fazë e analizës të organizmit kërkon kohën e vet, procedurat shtetërore kanë afatet e tyre ligjore dhe do të ishte e padrejtë sikur të ishte bërë shpallja, apo të ishte bërë konkursi për drejtuesin e ri të këtij institucioni ndërkohë që nuk ka përfunduar kjo fazë e analizës dhe organizmit. Me të mbaruar kjo fazë më pas do të kemi hapjen e thirrjes për konkurs, për një drejtues të ri të institucionit”, thotë Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Kulturës Ergis Sefa.

Drejtorja aktuale e “Operas”, sipas Ministrisë vijon të mbetet në detyrë deri në përmbushje të këtij riorganizimi, por sa do të zgjasë kjo procedurë?

“Kjo është një procedurë që ka nisur nuk mund të jap një afat të saktë, por mendoj se do të mbarojë shumë shpejt. Më pas hapet konkursi”

Nuk kemi një rikonfirmim të mandatit të dytë, por a njihet ligjërisht zgjatja e këtij funksioni drejtues për afro një vit e gjysmë?

“Absolutisht po. Ligji njeh dy koncepte bazë që janë siguria juridike dhe vazhdimësia institucionale, pra nuk mund të lihet një institucion pa drejtues derisa të fillojë një mandat i ri. Për shkak të këtyre arsyeve që përmenda, do të ishte në dëm të institucionit dhe në dëm të taksapaguesve që institucionet të lihen pa kokë, dhe puna të pengohej deri sa të vijë një drejtues i ri apo të rikonfirmohet ai që është në detyrë”

Do të ishim në situatë të ngjashme në Galerinë Kombëtare të Arteve, por lirimi nga detyra ka qenë kërkesë e Erzen Shkolollit për motive personale.

“Në rastin e Galerisë Kombëtare të Arteve ishte vetë drejtuesi që kërkoi të largohej për arsye personale . Normalisht që nuk mund ta pengonim që për arsye të tij familjare të vazhdonte jetën e tij. Janë kushte tërësisht të ndryshme në këtë fazë. Ndryshe do të ishim në të njëjtat kushte dhe për GKA-në, derisa të përfundonin punimet”

Në këto rrethana Galeria prej fundit të janarit është pa një drejtues, por kush po udhëheq ndërhyrjet restauruese?

“Kjo po bëhet direkt nga Ministria e Kulturës, që është edhe institucioni epror për Galerinë Kombëtare të Arteve”.

Por, kur do të kemi një titullar të ri për institucionin më me peshë ta artit pamor?

“Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së procedurave për hapjen e një konkursi, i cili do të zhvillohet.  Galeria Kombëtare e Arteve është në proces restaurimi dhe është në fillimin e punimeve dhe për këtë arsye është duke u bërë riorganizimi i lëvizjes së stafit dhe sistemimi i tyre Me të mbaruar kjo pjesë do të fillojë edhe thirrja për një drejtues të ri të saj”.

Pa drejtues ka vijuar të funksionojë edhe Arkivi Qendror Shtetëror i filmit, prej 6 tetorit kur ish-titullarja Iris Elezi u lirua nga detyra. Një nga shkaqet e rihapjes së thirrjes për aplikantë, ka qenë edhe interesimi i ulët për pjesëmarrje në garë.

“Thirrja ka qenë publike. Kemi aplikantë, por për shkak të së Drejtës së Privatësisë nuk mund të them emrat e tyre. Janë aktualisht në shqyrtim dosjet përkatëse. Ka një komision të pavarur që bën shqyrtimin e dosjeve dhe do të shpallë një fitues”.

A do të duhej në të tilla raste që emrat pjesëmarrës në garë të bëheshin publik bashkë me CV-në dhe projektin e tyre?

“Absolutisht! Por po flasim për të dhënat e tyre personale që nuk mund t’i jap pa pëlqimin e personave në fjalë. Megjithatë ata kur kanë bërë aplikimin kanë sjellë të gjithë dokumentacionin përkatës. Por, ligji thotë të mos bëhen publike gjatë procesit të përzgjedhjes për shkak se mund të krijojë keqkuptime. Në moment që mbaron procesi po. Por aktualisht jemi ende në proces”.

Pa titullar të emëruar mbetet prej dhjetorit edhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Në përfundim të dy mandateve Arta Dollani u zëvendësua përkohësisht nga Rudina Kule. Situata vijon të mbetet ende e njëjtë deri më sot.

“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë ka një drejtues të komanduar pikërisht për këtë fazë tranzitore. Për shkak të garancisë për vazhdimësisë institucionale, që të mos ndërpriten shërbimet ndaj qytetarëve. Deri në përfundim të procedurave publike, ne jemi kujdesur që të mos ketë asnjë institucion të mos qëndrojë pa drejtues”.

Por, a mbajnë përgjegjësi të njëjtë ligjore me titullarët e përzgjedhur nga Këshilli i Ministrave funksionarët e përkohshëm dhe deri ku shkon vendimmarrja e tyre?

“Absolutisht! Ato mbajnë përgjegjësinë dhe kanë llogaridhënien për atë periudhë që janë në drejtim të këtyre institucioneve njësoj si drejtuesit e emëruar me VKM”

Më e freskët është situata në Muzeun Historik Kombëtar, ku drejtorit aktual Dorian Koçit, i ka përfunduar mandati në muajin që lamë pas.

“Ne tani i kemi filluar procedurat për konkursin, do të hapet shpejt. Do të kemi një garë publike”.

Në përfundim të mandatit të dytë është edhe drejtuesi i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli.

“Ende nuk ka përfunduar. Mbaron mandati në muajin prill dhe pastaj fillojnë procedurat”.

Nëse konkurset për këto poste do të vijojnë, e  do të ketë ende të interesuar për të qenë drejtor, ky do të jetë viti i reformimit të institucioneve të kulturës.

SI.E./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja