Shqipëria ka mirëpritur 11,137,328 vizitorë të huaj nga janari deri në tetor 2025, ose 7% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Shifra u bë e ditur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Ndër të tjera ai thekson se vetëm gjatë tetorit janë regjistruar 908,642 vizitorë, një ritëm që dëshmon transformimin e turizmit gjithëvjetor.

“Shqipëria ka mirëpritur 11,137,328 vizitorë të huaj nga Janari deri në Tetor 2025, ose 7% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Vetëm në Tetor 2025 janë regjistruar 908,642 vizitorë, një ritëm që dëshmon transformimin e turizmit gjithëvjetor, duke lënë pas modelin sezonal dhe afirmuar Shqipërinë si një destinacion në zhvillim të qëndrueshëm dhe tërheqës në çdo stinë”, shkruan Gonxhja në faqen zyrtare në Facebook.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.