Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, ka organizuar një tryezë të rëndësishme bashkëpunimi me përfaqësues të komuniteteve fetare, ku është diskutuar roli i fesë në sistemin penitenciar dhe ndikimi i saj në rehabilitimin e të burgosurve.

Në këtë takim të veçantë, morën pjesë figura të shquara nga komunitetet fetare të ndryshme, përfshirë  Tauland Bica nga Komuniteti Mysliman, Atë Nikolla Kodheli nga Kisha Ortodokse Autoqefale, Dom Kreshnik Ivan, kapelan i Burgjeve Tiranë-Durrës, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Z. Ergjest Biti nga Vëllazëria Ungjillore.

Të gjithë pjesëmarrësit theksuan se feja ka një ndikim të madh në burgje, duke ndihmuar në rehabilitimin dhe ri-integrimin e të burgosurve. Ata diskutuan se si praktikat fetare ofrojnë mbështetje shpirtërore, qetësi dhe forcë për të kaluar vështirësitë e jetës në burg, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më paqësor dhe më të harmonishëm brenda institucioneve penitenciare.

Në fjalën e tij, Drejtori Qose vlerësoi angazhimin e përfaqësuesve të feve dhe theksoi se bashkëpunimi ndërfetar është një urë që lidh e forcon shpirtin, duke nënvizuar se trupi mund të jetë i burgosur, por shpirti mbetet i lirë.

Ky bashkëpunim mes institucioneve fetare dhe atyre penitenciare është një hap i rëndësishëm për forcimin e rehabilitimit dhe rigjallërimin shpirtëror të të burgosurve, duke krijuar mundësi më të mira për ri-integrimin e tyre në shoqëri.