Drejtori i Fondit të Abu Dhabit premtim Veliajt: Fnancojë deri në fund projektin e Bulevardit të Ri

Fondi i Abu Dhabit do vijojë të mbështesë Bashkinë e Tiranës për të çuar deri në fund projektin e Bulevardit të Ri për dy segmentet e mbetura dhe rivitalizimin e një sheshi monumental në fund të tij. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim drejtorin e operacioneve në botë të Fondit të Abu Dhabit për Zhvillim, Adel Al Husan, me të cilin bisedoi për përfundimin e projektit të Bulevardit të Ri, si dhe mbi mundësinë e vijimit të bashkëpunimit edhe për projekte të tjera.

Ai i shprehu mirënjohjen përfaqësuesit të lartë të Abu Dhabit për financimin e Bulevardit të Ri dhe Lumit Tirana, si dy projekte që kanë transformuar jetën e një komuniteti të madh banorësh, të cilët deri dje vuanin pasojat e informalitetit dhe përmbytjeve.

“Kemi pasur një eksperiencë të shkëlqyer me zbatimin e projektit të Bulevardit të Ri, në këto dy vite kemi ecur me ritme të jashtëzakonshme. Sot po i afrohemi fundit, ndërkohë kemi përfunduar totalisht sistemimin e Lumit të Tiranës, çka shpëtoi nga përmbytjet njësitë 4, 8, 9 dhe 11. Pra, fillon nga ura e kthesës së Kamzës deri te Kafja e Rremës, një mënyrë për të shpëtuar një komunitet të tërë, i cili më parë vuante të gjithë pasojat e përmbytjeve. Sot përmbytjet janë një përrallë nga e kaluara”, tha Veliaj. 

Kryebashkiaku theksoi faktin se projekti i rehabilitimit të Lumit Tirana nuk përfshin vetëm sistemimin e familjeve që jetonin në shtëpi të ndërtuara në shtratin e lumit, si dhe ndërtimin e skarpateve mbrojtëse, por edhe krijimin e hapësirave shlodhëse dhe argëtuese për banorët e zonës.

“Sot kemi bërë disa parqe anës lumit dhe nga një zonë e degjeneruar me konotacion negativ, Bregu i Lumit krejt papritur po rihyn në fjalorin tonë si një zonë me vlerë, ku po investojmë në arsim, me qendrat sociale, me shkollat e reja. Besoj se duke filluar nga riparimi i lumit kthehu faqen e gjithë zona e Bregut të Lumit”, shtoi Veliaj. 

Drejtori i Fondit për Zhvillim të Abu Dhabit, Adel Al Husan, u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe theksoi mbështetjen për projekte të tjera zhvilluese në të mirë të qytetarëve.

“Jemi të kënaqur për partneritetin strategjik me qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë jemi dëshmitarë të një arritjeje të madhe. Një tjetër arritje është bërë në zhvillimin e këtij projekti të  Bulevardit verior dhe në projektin e  rehabilitimit të lumit. Po vazhdojmë diskutimet me qeverinë për projekte të reja. Faleminderit atyre që na dhanë mundësinë për të qenë pjesë e sfidave të tyre të zhvillimit dhe patjetër që do të vazhdojmë të ndihmojmë kolegët dhe vëllezërit tanë në Shqipëri për një të ardhme më të mirë”, tha Adel Al Husan.

Kryebashkiaku Veliaj saktësoi se me drejtorin e Fondit të Abu Dhabit është rënë dakord që të vijojë financimi i projektit të Bulevardit të Ri edhe për dy segmentet e tjera të mbetura. “Me Fondin e Abu Dhabi-t do të sigurohemi që ta çojmë projektin deri në fund edhe me një shesh monumental, ashtu siç është sheshi “Nënë Tereza”. Tashmë kemi disa projekte urbanistike që po kthehen në ikonë për Tiranën, si sheshi “Skënderbej” dhe Bulevardi i Ri. Besoj se me këto dy shtojca të Zogut I dhe të fundit të Bulevardit të ri me projektin e Lidos, të kemi një kurorëzim të suksesshëm të marrëdhënies me Abu Dhabi-n”, e mbylli fjalën Veliaj.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Myftiu: 07/05/2018 13:19

    Kemi pará edhe për xhamí të tjera meqënëse po hapet zonë e re nepermjet bulevardit të ri.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur