PRISHTINË -Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, mori pjesë në aktivitetin për 100 vjetorin e themelimit të Interpol-it dhe në konferencën e 83-të të Asamblesë së Përgjithshme të saj, që është duke u zhvilluar në Monako, nga 3-7 nëntor. Kjo është hera e parë që Policia e Kosovës merr pjesë në një konferencë të këtij niveli.
Policia e Kosovës në njoftimin e dërguar bën të ditur se, gjatë kësaj kohe drejtori Maxhuni ka realizuar disa takime të rëndësishme me pjesëmarrës të kësaj konference nga shtete të ndryshme të botës dhe janë diskutuar tema që ndërlidhen me sigurinë dhe nevojën e avancimit të bashkëpunimit policor.
Kjo konferencë shërben si forum për më shumë se 1000 delegatë nga 166 shtete, për të diskutuar pikat kyçe, si: forcimi i institucioneve për zbatimin e ligjit dhe ngritjen e bashkëpunimit në mes të Policisë, sektorit publik dhe atij privat.
"Kosova vazhdon përpjekjet e saj për anëtarësim, ndërsa bashkëpunimi me Interpol-in që nga viti 2002 bëhet duke u bazuar në një marrëveshje që ishte nënshkruar në atë kohë në mes të UNMIK-ut dhe Interpol-it. Kosova ndërkohë vazhdon t'i plotësojë kushtet teknike dhe ligjore për anëtarësim në këtë organizatë dhe është në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera, si MPB-në dhe MPJ-në", thekson njoftimi.
Përderisa 40% e komunikimit me shtetet e tjera zhvillohet nëpërmjet kanaleve të Interpol-it, Kosova tashmë ka themeluar Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, ka tre ndërlidhës policorë të akredituar në Austri, Francë dhe Turqi, ndërsa është pritje të akreditimit edhe të dy të tjerëve në Gjermani dhe Belgjikë.
"Kosova mund të konsiderohet si prodhues i sigurisë në rajon dhe më gjerë e jo më konsumues i saj", thekson njoftimi.
Ideja për themelimin e Interpol-it ka lindur në kongresin e Policisë Kriminale Ndërkombëtare në Monako në vitin 1914. /ATSH/