Napoli ka shpallur zyrtarisht pasardhësin e Cristiano Giuntoli si drejtori të ri sportiv të klubit. Siç ndodh shpesh në këto raste, është vetë presidenti Aurelio De Laurentiis ai që zbulon zgjedhjen e tij me një postim në Twitter.
Do të jetë Mauro Meluso, ish-menaxheri i Spezia-s, drejtori i ri i napolitanëve që do të marrë menjëherë trashëgiminë e lënë nga Giuntioli, i cili kaloi te Juventusi dhe la Napolin si kampion në Serie A.
"Kam kënaqësinë të njoftoj se Mauro Meluso është drejtori i ri sportiv i Napolit. Mirë se vini në familjen tonë dhe urimet më të mira për punën tuaj! Aurelio De Laurentiis", shkroi presidenti.
Në prezantimin për mediet, Meluso thumboi ish-drejtorin e Napolit, që pas largimit tha se ka qenë një tifoz i Juves.
"De Laurentis nuk më pyeti se për cilën skuadër bëj tifozllëk, por ju garantoj se kurrë nuk kam bërë tifo për Juventusin. Në Serie A kam luajtur për Lazion dhe Cremonesen, por nuk bëj tifo për asnjë skuadër në veçanti, përveç atyre ku punoj. Te Napoli është gjithnjë një atmosferë e nxehtë dhe kjo më pëlqen, isha në dhjetor në qytet dhe njerëzit kishin nisur festën e titullit. Të punosh për Napolin është një përgjegjësi e madhe, mos harroni pas Juventusit, në këto dhjetë vitet e fundit, Napoli është skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë”, u shpreh Meluso.