Në një lidhje direkte me “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, drejtori i Zjarrfikëses Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, tha se materiali i fasadës bëri të mundur përhapjen e flakëve që përfshinë pallatin e ‘Arlis’ në Tiranë. Ai theksoi se këto materiale nuk duhet të përdoren.
“Zjarri është nga faktorë të jashtëm. Shpërndarja e zjarrit është bërë nga fasada. Këto materiale s’duhet të përdoren në objektet e ndërtimit, sidomos në objektet shumëkatëshe sepse kemi parë që janë me pasoja katastrofike”, tha Goxhaj.
Materiali i fasadës, shpjegoi Goxhaj, kishte poshtë saj lesh guri. Pikërisht me një material të tillë duhet të ishte veshur edhe fasada për të shmangur zjarrin.
“Poshtë kësaj fasade të karbontë që transmeton zjarrin, kishte lesh guri. Leshi i gurit në çdo lloj temperature, nuk digjet. Po të shikoni ato pjesë që rrëzohen nga tarraca, ishin pikërisht këto pjesë dhe të padëmtuara fare nga zjarri. Ashtu siç ka vënë leshin e gurit ndërtuesi, duhet të vinte edhe fasadën finalizuese që mos të ishte përçuese e vatrës së zjarrit”, shpjegoi Goxhaj.
Por ndërsa pallati i ‘Arlis’ u përfshi nga katet e para deri në ato të sipërme, arkitekti Artan Kacani tha se garazhet e mbyllura e të nëndhenshme janë ‘bombë me sahat.”
“Në Shqipëri ka shumë garazhe që në katet përdhe janë projektuar të hapur dhe vetë banorët i kanë mbyllur. Kjo është një bombë me sahat”, tha Kacani.
Lajmi kryesor:
Inxhinieri analizon në studio copën e fasadës së pallatit të djegur te ‘Arlis’: Material plastik, i ndaluar! Drejtori i Zjarrfikëses: Përhapi zjarrin








