Dritëro Agolli: Një gazetare
e veçantë kjo Zenepe Luka

Dritëro Agolli: Një gazetare<br />e veçantë kjo Zenepe Luka
Gazetarja Zenepe Luka ka nxjerrë në dritën e botimit librin “Kjo është jeta ime”. Nga titulli duket sikur është një libër autobiografik, por kur lexon mes rreshtave kupton se jeta e gazetares rebele, Zenepe Luka, është vetë gazetaria, pasioni që për të nuk njeh moshë. Duke u rrekur të flas për kontributin e saj gati 40-vjeçar në gazetari, kjo gazetare me vrullin që e karakterizon rrëmbehet dhe flet për personazhet e gazetarisë së saj.

Libri “Kjo është jeta ime” e Zenepe Lukës mund të përkthehet fare mirë si jeta e personazheve më të shquar që janë intervistuar prej saj, të cilët janë personalitete të vendit dhe të huaj.

Jeta personale e gazetares së njohur Zenepe Lukës në faqet e këtij libri kalon me kuadro që lëvizin shpejt, ndërsa pjesën më të madhe të librit e zënë personazhet Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Elena Kadare, Rexhep Qosja, këngëtarët italianë Al Bano e Romina Pauer, presidenti Rexhep Mejdani, etj, etj. Megjithëse ajo ka guxuar të shkruajë hapur edhe me polemikat e saj kundër ideve të pjesës më të madhe tyre, personalitete të rëndësishme të vendit e kanë vlerësuar dhe çmuar gjithmonë figurën e saj si gazetare.

Luka i ka mbledhur këto vlerësime në faqet e librit “Kjo është jeta ime”. Ndër këto vlerësime ajo që të bënë më shumë përshtypje është vlerësimi i Dritëro Agollit më 9 shkurt 2013, i cili e quan një gazetare të veçantë, të cilën do ta botojmë të plotë: “Në kuptimin e marrëdhënieve shoqërore, të jesh gazetar do të thotë të njohësh dhe të të njohin shumë njerëz, ta kesh për nder që i njeh dhe ta kenë për nder ata që të njohin. Ata që ke takuar, do të thonë: “Kam njohur filanen”!

Kështu do ta filloja një përsiatje për krijimtarinë dhe veprimtarinë e publicistes dhe shkrimtares Zenepe Luka, të njohur që kur e kishte mbiemrin Çerkezi, vajzë e gjallë dhe me mendje plot fantazi. Fola në fillim për njohjen e gazetarit nga lexuesit, por kjo njohje nuk është e lehtë sa një shtrëngim duarsh aty për aty.

Zenepe Luka e ka fituar me përpjekje dhe me mundim shtrëngimin e dorës nga lexuesi. Ajo ka qenë gazetare në gazetën lokale “Kukësi i ri”, ku për të mbledhur faktet e një artikulli duhej të udhëtoje me makinë dhe me këmbë, pasi nuk ishte koha e celularëve dhe aparateve të vegjël incizues, kështu Zenepja u mësua të shkojë drejt faktit si myslimani drejt Mekës.

Nuk e përmenda rastësisht gazetën “Kukësi i Ri”. Me këtë desha të tregoja provën e parë të një gazetareje të re, si sprovën e një sportisti vrapues: A është i zoti të hyjë në garë?

Zenepja ia doli kësaj gare të mundimshme. Arriti në Tiranë me shtypin qendror “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, revista “Shqiptarja e re” dhe me radhë. Në këtë larmi organesh shtypi, ajo vazhdoi të përparojë stilin publicistik të gjinive të ndryshme të gazetarisë. Është një shprehje: “Vrapojmë të arrijmë horizontin”. Horizonti largohet duke paraqitur një peizazh tjetër.

Horizonti i shoqërisë politiko shqiptare, ndryshoi. Ndryshoi dhe përmbajtja dhe forma e gazetarisë. Nuk kishte më kontroll të rreptë të shtypit. U bë mënyra e të shkruarit më dinamike, më e thjeshtë duke larguar ekstazën. Këtë përmbajtje dhe forum të re të shtypit mundi ta përvetësojë edhe Zenepe Lula. Ajo filloi të shkruajë më thjesht, duke shmangur kozmetikën e frazës, kozmetikë që fsheh përmbajtjen dhe zbeh faktin.

Një arritje e tillë u bë realitet kur ajo nisi punën tek gazeta “Koha jonë”, ku punoi dhjetë vjet pa ndërprerje, madje në periudhën më të vështirë që kaloi vendi ynë pas rënies së regjimit komunist, më pas në gazetën “Ballkan” dhe deri më sot në “Telegraf”. Arritja e saj më e spikatur është se nisi të shkruajë edhe libra publicistikë, si “Vlora, Vlora”, “Unë gazetarja rebele”, “Rrëfej Nermin Vlorën”, “Violeta Manushi, kryezonja e skenës”, “Al Bano dhe Albania”, etj.

Mes këtyre librave që përmendëm, unë do të veçoja “Vlora, Vlora”, e cila pasqyroi një dramë rrëqethëse të vitit 1997, një rrëmujë dhe një tragjedi, jo vetëm të Vlorës, por edhe të gjithë vendit, ku u paralizua shteti me të gjithë hallkat e tij. Më vërtetësinë e përmbajtjes, ky libër nuk mbetet vetëm si një vepër publicistike, por edhe si një dokument historik.

Në këto shënime nuk mund të mos përmend një temë të dashur të Zenepe Lukës, temën e gruas shqiptare, jo vetëm në fushën e kulturës dhe të artit, por edhe enë lëmin e veprimtarisë shoqërore dhe politike. Tema e gruas dhe e kulturës për Zenepe Lukën nuk është vetëm në publicistikë, por edhe në veprimtarinë shoqërore dhe njerëzore, në krijimin nga ana e saj të fondacionit të gruas “Nermin Vlora Falaschi”, të shoqatës kulturore “Al Bano Karrisi”, duke organizuar veprimtari të mëdha brenda dhe jashtë vendit.

Zenepe Luka në veprimtarinë e saj publicistike e shoqërore, pa përjashtuar atë politike, mbetet e gjallë, si në jetën e saj, gjithmonë në lëvizje, sikur fluturon, sikurse thotë i madhi Naim Frashëri:
“Jam i gjallë dhe jam në jetë.
Jam në dritë të vërtetë”.

Dritëro Agolli
9 shkurt 2013


Shkrimi u botua sot Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi