Conference League është në fazën play-off dhe këtë të enjte në fushë do zbresin 16 skuadra në tetë përballjet e aktit të parë. Fjalën e tyre do e kenë edhe dy skuadra shqiptare, Drita e Gjilanit që është kampione në fuqi e Kosovës dhe Shkëndija e Tetovës që mban fronin si kampione në Maqedoninë e Veriut.
Në stadiumin 'Fadil Vokrri' të Prishtinës, Drita luan kundër sllovenëve të Celjes në orën 21:00. Trajneri Zekirija Ramadani nuk do ketë të gatshëm për gjilanasit emra si Rron Broja, Faton Maloku, Juan Mesa apo edhe Blerton Sheji. Nga ana tjetër Celje do duhet të bëjë pa pesë mungesa.
Përpara ndeshjes, trajneri Ramadani nuk u dorëzua duke thënë se kualifikimi për më tej është i vështirë, por jo i pamundur.
"Drita duhet të mos dalë nga identiteti i vet. Gjithmonë ne kemi përballë vetes motivim dhe objektivin që e kemi si ekip. Kur kemi funksionuar në aspektin kolektiv, kemi dalë të suksesshëm. Nuk jemi mbështetur në individualitetin e ndonjërit, por në anën kolektive.
Jemi munduar t’i nxjerrim disa pika të forta e të dobëta. Do të mbrohemi nga i gjithë ekipi i Celjes. Jemi munduar ta përgatitim ekipin dhe do të jetë e vështirë, por kualifikimi nuk është i pamundur. Duhet të shfrytëzojmë ndeshjen e parë në fushën tonë", tha trajneri i Dritës.
Në të njëjtën orë, Shkëndija e Tetovës pret në impiantin 'Toshe Proeski' të Shkupit turqit e Samsunspor. Këta të fundit do duhet të bëjnë pa 12 futbollistë, të dëmtuar, penalizuar apo jo aktivë. Në këtë duel, Samsunspori vjen me trajnerin e ri gjerman Thorsten Fink, i cili mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Thomas Reis.
Nga ana tjetër shqiptarët nga Tetova nuk kanë të gatshëm Liridon Latifin për shkak të një kartoni të kuq dhe Aleksandër Trumcin të pezulluar për shkak të kartonave të verdhë. Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, tha se janë përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje.
"Sa i përket përgatitjes së ndeshjes, pritet të ketë ndryshime te rivali, me vetë faktin se skuadra turke ka ndryshuar trajnerin pikërisht në prag të këtij ballafaqimi. Kjo do të thotë se janë vështirësuar punët dhe ndryshimet janë të mundshme”, u shpreh Beqiri.
Ndeshjet e kthimit, pra ato që do vendosin tetë skuadrat që kalojnë më tej në garën për trofeun e Conference League, do luhen më 26 shkurt.
Conference League, faza play-off, akti i parë:
E enjte, 19 shkurt 2026
18:45
KuPS - Lech Poznan
Noah - AZ Alkmaar
Sigma Olumouc - Lausanne
Zrinjski Mostar - Crystal Palace
21:00
Drita - Celje
Shkëndija - Samsunspor
Jagiellonia - Fiorentina
Omonia - Rijeka
*Ndeshjet e kthimit luhen më 26 shkurt
Komente






