Drita e Gjilanit është shpallur sërish kampione e Kosovës në futboll, pasi mposhti të shtunën me rezultatin 2-0 rivalin direkt, Ballkanin, në një ndeshje vendimtare të zhvilluar në Gjilan.

“Intelektualët” e siguruan matematikisht titullin falë kësaj fitoreje, në një përballje që nisi me ritëm të lartë dhe tension të madh që nga minutat e para.

Heroi i ndeshjes ishte Besnik Krasniqi, i cili realizoi një gol të bukur në minutën e 24-t, duke i dhënë epërsinë vendasve. Drita u tregua më kërkuese gjatë gjithë takimit, ndërsa Ballkani pati disa aksione premtuese, por pa arritur t’i konkretizojë.

Fitorja u vulos në fund nga Dante, i cili shënoi nga pranë në minutën e 87-të pas një harkimi të saktë nga Krasniqi.

Me këtë triumf, Drita arrin në 66 pikë dhe siguron titullin e pestë në historinë e klubit, si dhe të dytin radhazi nën drejtimin e trajnerit Zekirija Ramadani.

Skuadra nga Gjilani do të përfaqësojë Kosovën në kualifikueset e Champions League që nisin gjatë verës, ndërsa Ballkani do të vazhdojë garën për vendin e dytë në kampionat përballë Malishevës.