Drita Pelinku, kujtimet dhe
amanetet e fundit të aktores

Drita Pelinku, kujtimet dhe<br />amanetet e fundit të aktores
TIRANE- Me Dritën bisedoja dy herë në ditë në telefon. Gruaja që i shërbente, Miranda, që Drita i kishte vënë epitetin “e mrekullueshme”, jo pak raste më thoshte: Sapo mori qetësues dhe e zuri gjumi. Merre pak më vonë”, por sapo ajo dëgjonte zërin tim, i thoshte: “Ma jep Zenepen, flet nga Vlora”. Pengu i saj ishte pamundësia për të marrë pjesë në veprimtaritë që organizonte Fondacioni ”Nermin Vlora Falaschi”, ku ajo nuk mungonte kurrë. Vetëm 3 ditë përpara se të ndërronte jetë, që ishte edhe biseda e fundit, më tha:
-Çfarë aktiviteti kemi këtë muaj?
-Do të shkojmë në Mitrovicë, bëhu gati-i thashë.
-Ku vihet me karrocë në Kosovë, që më qan zemra për ta parë. Lum si ju, nuk mund ta marrësh me mend se si ndjehem kur ikni dhe unë mungoj, rri këtu vetëm. “Do të festojmë edhe 70-vjetorin e lindjes së Rozës”- i thashë.
-Do të mbledh forcat që të vij, të mblidhen ndoshta për herë të fundit me koleget, me zonjat e Fondacionit. Nëse nuk mundem, të lutem do t’i dërgosh një buqetë të madhe me lule, aq të madhe, aq të bukur, sa ajo që më solli mua kur festuam bashkë 85-vjetorin e lindjes sime. Aktorja la këshillën e saj të fundit për Fondacionin: “Misioni ynë është që të kontribuojmë për të ngritur lart vlerat e gruas shqiptare”
 
“Të pres më 3 tetor për të dhënë intervistën”
 
Më tre tetor e lamë bashkërisht, edhe me Tinka Kurtin, që të takoheshim. Drita në këtë telefonatë që u fiksua e fundit u gëzua shumë që do të shkonim në shtëpi dhe më tha: “-Ka një javë që më sollën librin e ri, që flet për mua. I kanë vënë titull të bukur ”Duke biseduar me Drita Pelinkun” është përgatitur nga një dashamirës i imi, Flori Slatina, quhet. E lexova me një frymë, sido që e njihja materialin që është hedhur në të dhe i vë notën “Shkëlqyeshëm”. Dua të jap një intervistë të shkurtër për të vlerësuar të gjitha ata që kanë shkruar e folur për mua, ndërsa promovimin e lëmë më pas. Dua të mblidhemi edhe njëherë, do të vij me karrocë”. “Më prit-i thashë, do të vijmë bashkë me Tinkën, kurse promovimin do ta lëmë për ditëlindjen tënde, më 3 dhjetor”.
 
Fjalimi i fundit i Drita Pelinkut në Vlorë
 
Kjo është fjala e përshëndetjes në Konferencën Shkencore Mbarëkombëtare që u mbajt në Vlorë më 28 nëntor, ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë. “Shoqe, mike të dashura, anëtare të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, miq dhe të ftuar. Ju uroj nga zemra 100-vjetorin e Pavarësisë. Më lejoni në këtë rast të recitoj vargjet e Naim Frashërit “Mëmëdhe”. Ju përshëndes me një poezi, që e ka shkruar një grua dhe titullohet ”Ju flet nëna”......
Kur kam ikur nga Vlora kam qenë 12- vjeçe, pasi mbarova shkollën fillore. Kam rastin që të kujtoj mësueset e mia të shtrenjta, zysh Ballkëzen, zysh Zenepen. Prindërit e mi më regjistruan në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Sigurisht që e pata të vështirë të ndahesha nga familja, por dëshira ime ishte të shkollohesha dhe fjala e prindërve ishte ligj.

U nisa për në Tiranë me makinën e babait. Kur dualëm nga Vlora, u ndalëm në një pikë nga ku dukej si në pëllëmbë të dorës qyteti i Vlorës. Im atë më nxori nga makina dhe më tha këto fjalë, që më kumbojnë në vesh sa herë i kujtoj: “Shiko Drita, shiko Vlorën, shiko sa e bukur është. Ti po ikën, ndoshta do të kesh jetë tjetër, do të zësh shumë shoqe e miq, por kurrë të mos harrosh Vlorën tonë, Vlorën e bukur. Vlorën e Ismail Qemalit. Kudo që të jesh të prezantohesh që je vlonjate dhe se Vlorën e ke në zemër.” Kështu ndodhi. Shumë ngjarje kanë ndodhur në jetën time, ka pasur gaz dhe lot, sukses dhe brenga. Kam shkuar në shumë shtete, kam kaluar oqeane, por amaneti i babait, ka qenë dhe mbetet në kujtesën time. Kam qenë e pranishme në Vlorë sa herë më kanë kërkuar dhe shumë herë që më ka marrë malli. Megjithëse nuk jam mirë me shëndet, guxova që të vijë ehe në këtë ditë të shënuar të 100-vjetorit të Pavarësisë  në konferencën shkencore që organizon Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”, pjesë e të cilit jam edhe unë.

Kisha shumë ftesa, shumë lutje për të qëndruar në Tiranë, por zemra më urdhëroi të vija këtu, në Vlorën time, të gdhihesha në ditën e 100-vjetorit këtu, në Vlorë, ku më ka rënë koka. Në dhjetor unë mbush 86-vjeç, mosha bën të sajën, por do të ishte bukur që unë të mbyllja sytë këtu, në Vlorë, në këtë ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët. Faleminderit Fondacionit “Nermin Vlora”, faleminderit ju zonja që keni ardhur nga shumë shtete për të kaluar këtë festë të madhe bashkë”
Në darkë ajo do të bënte recitimin për nënën që ka humbur fëmijën e saj. Drita bëri një homazh për të gjitha nënat e botës dhe sakrificat që ato bëjnë deri në momentin e fundit të jetës. Edhe sot e dëgjoj zërin kumbues të Dritës, më vjen i afërt dhe jehon si një porosi plot kurajë.
 
Drita Pelinku si një nga themelueset e Fondacionit Nermin Vlora

 
Drita Pelinku ishte edhe një nga themelueset e Fondacionit Nermin Vlora Falaski dhe gjatë 13 vjetëve aktivitet e tij, por ka dhënë edhe kontribute të mëdha. Ajo është delegate e Kuvendit të Parë të gruas së shquar që u mbajt në Vlorë më 18 prill të viit 2002 dhe daljen e saj të fundit në publik e ka mbyllur më 28 nëntor të vitit 2012. Ajo mori pjesë dhe foli në Konferencën shkencore mbarëkombëtare që Fondacioni organizoi në Vlorë me temë”Roli dhe kontributi I gruas në 100 vite pavarësi.” Vlorën e donte shumë dhe për vlonjatët do të mbetet e paharruar ceremonia që organizoi bashkia, që pas  kërkesës që bëri Fondacioni, i dha titullin e lartë “Qytetare Nderi” e Vlorës. Nuk kish shumë kohë që I kishte ndodhur gjëma, ndarja nga jeta e të bijës Jaroshkës dhe mbesës, e veshur me të zeza, u ngjit në skenë për të marrë titullin e lartë, që iu dorëzua nga kryetari I bashkisë z.Shpëtim Gjika, me lot në sy, u përkul dhe tha: Faleminderit Vlorë.

Vlerësimi që të bën qyteti ku ke lindur nuk mund të krahasohet me asnjë titull sado I përmasave të mëdha qoftë. Pas duartrokitjeve të zjarrta Drita përshëndeti të pranishmit duke recituar vjershën, që e kish aq për zemër shkruar nga Lasgush Poradeci ”Kënga pleqërishte”. Ditën e lamtumirës 100 gra intelektuale të Fondacionit, lot e dhimbje për Dritën. Kishin ardhur nga Kosova, Mali I Zi, drejtuese të këtij Fondacioni në këto shtete. Buqeta me lule dhe mesazhe në emër të grave intelektuale shqiptare të shteteve nga vinin, vendosën edhe shkencëtarja nga Prizreni Ajtene Krasniqi, Zylfie Duraku nga Mali I Zi, Teuta Demjaha nga Shkupi, Vitore Leka-Stefa ardhur nga Italia etj.

Shkrimi u publikua sot (08.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024