Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, është shprehur kundër përfshirjes së ish-luftëtarëve të UÇK-së në protestat që zhvillohen në Shqipëri, duke theksuar se ato janë çështje të brendshme të shtetit shqiptar. Gjatë një deklarate për mediat, ai tha se ndihma për Shqipërinë do të ishte obligim vetëm në rast se vendi përballet me një kërcënim të jashtëm.
Gucati hodhi poshtë edhe pretendimet në media se kryeministri Edi Rama i ka quajtur "mercenarë" ish-luftëtarët që morën pjesë në protestat në Tiranë.
“Unë Edi Ramën s’e kam dëgjuar që ka thënë mercenarë. Një listë e kam parë, duhet të jem i sinqertë, për portale të ndryshme që e ka bërë publike Taulant Balla. Mercenarë shqiptarë s’ka pasur, një ngatërresë është bërë. Tahir Sinanaj është nga Kukësi, Tahir Sinani është nga Tropoja. Ta bëjmë dallimin, janë dy Tahira, mos t’i ngatërrojmë. Sepse, nëse ke fjalën për Tahir Sinanin, Tahir Sinani s’ka marrë lekë, as s’ka marrë para, është dëshmor i kombit. Është luftëtar i tri luftërave.”tha Gucati.
Ai përsëriti gjithashtu se flamuri dhe emblema e UÇK-së nuk duhet të përdoren në protesta apo fushata politike, duke kujtuar se për këtë ka bërë edhe kërkesa me shkrim.
“Kam bërë kërkesë që mos të përdoret, edhe me shkrim e kam. Edhe ato dokumente, ku të duash, t’i jap që kam bërë kërkesë. Ju lutem mos e përdorni flamurin apo emblemën e UÇK-së nëpër fushata politike, sepse UÇK-ja nuk është e një partie, UÇK-ja është e gjithë kombit shqiptar”, u shpreh ai.
Sipas Gucatit, qytetarët e Kosovës nuk duhet të marrin pjesë në protesta politike në Shqipëri, ndërsa ndihma ndaj Shqipërisë do të ishte detyrim vetëm në rast të një kërcënimi nga jashtë.
I pyetur për Dritan Goxhajn, ai deklaroi se nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
"Jo, më së pari Dritan Goxhaj s’është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës. Dritan Goxhaj nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pikë. Te unë s’është anëtar i organizatës përderisa s’ma bjen dokumentin, certifikatën, edhe s’e mbush aplikacionin, s’e bjen formularin, unë për vete s’e konsideroj”, tha ai
Në të njëjtën dalje për mediat, organizata njoftoi se protesta e radhës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të mbahet më 5 korrik, në orën 18:00, në Kroaci.
Komente









