Dritan Hila: Agonia e një partie!

Dritan Hila: Agonia e një partie!

Moment nga protesta e dhunshme e opozitës, dje, 7 Tetor

Ka një sforcim disa vjeçar të punëtorëve të propagandës së rithemelimit për të justifikuar rënien gjithmonë e më tepër të forcës së PD dhe Berishës. Herë të vetëdijshëm dhe herë nuk e besojnë as vetë, shikojnë se si po tkurret çdo ditë PD, pavarësisht se problemet e Ramës në qeveri janë të tilla që do fuqizonin çdo opozitë.

Përpiqen të gjejnë arsye tek kapja e institucioneve nga Rama, tek aleanca me banditë, tek trafiqet, tek oligarkët, a thua se këta nuk kanë qenë këtu. Të gjitha kanë qenë edhe në kohën kur në pushtet ishte Berisha dhe ai i kishte në dorë, por arsyet janë komplet të tjera.

Në vitin 2013 institucionet i kishte kapur edhe Berisha, pa përjashtim; gjyqësori dhe prokuroria ishin shtojca të Berishës; bandat faleshin tek Berisha dhe oligarkët ishin me Berishën që i krijoi, madje ende sot e kanë idhull dhe i çojnë taksën dhe xhelepin.

Arsyeja e vërtetë është që Berisha tashmë është i plakur dhe i vrarë moralisht. Është i plakur nga ana fizike pasi është 80 vjeç. Është i plakur në ide që reflektohet tek gjuha e tij me revolucione e përmbysje. Është i braktisur nga qytetet e mëdha dhe kjo jo për faj të Ramës por për faj të Berishës që erdhi nga fshati por fshatin nuk e nxori dot kurrë nga vetja dhe në një botë globale do ta kthejë këtë vend në një fshat të madh.

Është i bojkotuar nga ndërkombëtarët dhe të mendosh se mund të vish në pushtet pa pëlqimin e amerikanëve, britanikëve apo gjermanëve të cilët janë taksativë në izolimin e tij, i bie që nuk ka dalë nga fshati dhe mendon se fshati është bota.

Ekipi i tij është anonim dhe me mungesa të figurave të nivelit kombëtar. Berisha i vrau gjithë individualitetet në atë parti dhe tashmë në rreshtin e parë të protestave ka figura që nuk dinë çfarë të bëjnë nëse ai nuk i bie telefonit. I fundmi mit i tij, që ishte ai i ndershmërisë, e vrau SPAK, dhe ky është vetëm fillimi i dosjeve që do t’i hapen. Berisha nuk nxori mësimet që jep historia për ciklin e një udhëheqësi.

Mbase do që ta mbyllë duke u ndeshur me bajlozë, sepse plaku bëhet si fëmija, bajloz që në këtë rast është perandoria amerikane, por harroi se perandoritë nuk të japin kënaqësinë e dueleve por të bëjnë qesharak, siç e kanë bërë duke e mbyllur në katin e 8-të. Ndaj protestat po rrudhen çdo ditë e më shumë dhe kanë mbetur vetëm nostalgjikët.

PD është një parti që po vdes. Dhe sikurse në vdekjen e një njeriu askush nga të afërmit nuk do ta besojë, edhe nostalgjikët nuk e qasin mendimin se kjo parti po vdes bashkë me Berishën. Të tjerët janë ose hijenat që po presin të marrin trashëgiminë, ose shejtanët që tallen dhe i marrin paratë që ka nëpër xhepa. /Dritare.net/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush, kush mund ta ndihmojë më shumë Shqipërinë në rast fitoreje?



×

Lajmi i fundit

Një udhëheqës vulgar dhe një kandidate e dobët: Amerika ka frikë nga të dy

Një udhëheqës vulgar dhe një kandidate e dobët: Amerika ka frikë nga të dy