TIRANE - Dritan Hila, ish zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka fituar gjyqin ndaj dikasterit në të cilin punonte, duke përfituar në këtë rast dhe tërë dëmshpërblimin për këtë lirim të paligjshëm nga detyra.

Kështu, është bërë e ditur se në numrin e tij të llogarisë në një nga bankat shqiptare private i është derdhur shuma prej 840.474 lekësh, pikërisht dy ditë më parë. Kështu, Ministria e Jashtme bazuar në vendimin 6488 DT 20.07.11 dhe urdhër 7 të datës 04.03.2013 ka derdhur në këtë bankë faturën financiare me shumën e caktuar të lekëve.

Kohë më parë është bërë i njohur debati mes Dritan Hilës, tashmë analist i njohur politik por dhe i përfshirë në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, me Ministrinë e Jashtme për shkak të largimit me të padrejtë sipas tij, nga detyra që mbante në këtë dikaster.

Argumenti që u përdor asokohe nga dikasteri i diplomacisë shqiptare kishte të bënte me faktin se pozicioni që Hila mbante në MPJ nuk e lejonte që të shkruante dhe publikonte analiza dhe artikuj kritikë për qeverinë dhe për ministrinë ku punonte. Por Gjykata e hodhi poshtë këtë argument, duke i dhënë të drejtë Hilës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.03 2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)