VLORË - Kandidati i majtë për Bashkinë e Vlorës, Dritan Leli gjatë një takimi me banorë të këtij qyteti është shprehur se do të iniciojë një projekt ku përmes kartave të identitetit, qytetarët të votojnë për projektet që ata duan për qytetin.

“Qytetarët e Vlorës do të jenë pjesë e të gjitha vendimmarrjeve të rëndësishme për qytetin. Për herë të parë në Shqipëri ne do të iniciojmë një projekt ku vetë banorët e Vlorës të votojnë përmes kartave të tyre të identitetit për projektet që ata duan për qytetin”, është shprehur Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Vlorën, Dritan Leli.
 
Leli ka thënë se përmes këtij projekti synohet rritja e transparencës, por mbi të gjitha e vendimmarrjes qytetare në Bashkinë e re të Vlorës
 
“Ky projekt unikal në Shqipëri do t’i japë mundësi banorëve të Vlorës që të votojnë duke përdorur kartat e tyre të identitetit për projektet që ata duan të zbatohen nga bashkia e re. Përmes këtij projekti synohet rritja e transparencës, por mbi të gjitha e vendimmarrjes qytetare në Bashkinë e re të Vlorës. Mënyra e votimit do të jetë shumë e thjeshtë, përmes 10 pikave që do të vendosen që në vitin e parë të mandatit të Dritan Lelit në Vlorë. Vetë sistemi do të parandalojë votimin nga persona, të cilët sipas regjistrit të gjendjes civile, nuk janë banorë të bashkisë Vlorë”, - tha Leli.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)