Policia e Durrësit ka vënë në pranga një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Është arrestuar 57-vjeçari Eduart Daiu, banues në fshatin Rrushkull të Durrësit, i cili pritet të ekstradohet drejt Italisë. Policia bën me dije se ky shtetas ishte dënuar në Itali me 16 vite burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike.

Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës së tyre për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar kanë bërë të mundur ndalimin e një shtetasi me qëllim ekstradimi drejt Italisë, konkretisht:

• Eduart Daiu 57 vjeç, banues në fshatin Rrushkull, Durrës.

Gjykata e Apelit në Milano, Itali, me Vendimin Nr .1131/09 REG.SENT-5571/08 REG.GEN datë 23.03.2009 e ka dënuar me 16 vite burg për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” parashikuar në nenet 110 të Kodit Penal Italian dhe nenet 73,74 dhe 80 të Dekretit Nr. 309-1990.

I kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vjet e 10 muaj e 29 ditë burgim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme. 

d.c./shqiptarja.com