Media italiane: Si po përdoren portet kryesore të Europës nga grupet e drogës

Media italiane: Si po përdoren portet kryesore të Europës nga grupet e drogës

Rubrika e gazetës italiane “La Repubblica” lidhur me përdorimin e rrugëve detare për trafikimin e drogës

Gazeta italiane “La Repubblica” i ka kushtuar ditët e fundit një rubrikë të gjerë përdorimit të porteve evropiane nga ana e grupeve të mëdha kriminale për trafikimin e substancave narkotike: kokainë dhe marijuanë. Në artikujt e shumtë, nga të cilët kemi nxjerrë një përmbledhje, kanë kontribuar gazetarë dhe ekspertë të Policisë anti-mafia italiane. Në jo pak raste, përmendet edhe roli i kriminalitetit shqiptar, si në prodhimin, trafikimin përtej kufijve shtetërore, ashtu edhe në magazinimin dhe shpërndarjen e drogës në territorin e vendeve të caktuara.

Më famëkeqin e njohin të gjithë: është porti i Gioia Tauros në Kalabri. Aty janë zbarkuar për vite me radhë ngarkesa të stërmëdha, që kanë bërë të stër-pasur bosët e krimit në atë rajon. Por deti është tepër i madh për të dhënë vetëm një mundësi. Kështu, disa porte janë nga ata që kanë rënë shumë në sy për trafiqet që kalojnë në to, ndërkohë që të tjerë kanë qendruar më në heshtje. Roterdami është një nga ata që “shkëlqejnë”, një port, për të vizituar të cilin nuk mjafton një ditë e tërë, por ka edhe të tillë si Brindisi – që ka qenë gjithnjë në histori pika më e afërt pranë Lindjes – Ancona, apo Civitavecchia një hap larg Romës.

Detet e veriut, detet e jugut, rrugët ballkanike dhe afrikane, Adriatiku, Shqipëria dhe Mali i Zi, kanali i Siçilisë dhe Malta – tashmë një Mekë e vërtetë e kriminelëve të të gjitha llojeve – të gjitha këto trafikantët i kanë kthyer në fushën e tyre të “betejës detare”. Nga Mesdheu në Gjermani, Holandë e Francë qarkullojnë kokainë, mallra të falsifikuara, marijuanë, armë e plehra. Ndrangheta dhe Camorra, organizatat mafioze puljeze dhe ato kosovare apo bullgare, bashkëpunojnë me grupet në Trapani të cilat për vite me radhë kanë qenë porositësit kryesorë të morfinës bazë që e përpunonin më pas në rafineritë e Cosa Nostra-s, por edhe me grupe në Trieste, Livorno, Catania, Bari e Gjenovë.  

Roterdami, parajsa e Evropës
Holanda është një vend paqësor, me mirëqenie të lartë, me politika sociale dhe tolerante. Por ekzistojnë veç këtij perceptimi edhe disa të tjera, sipas të cilave ky vend është një parajsë fiskale që mund të krahasohet me ishujt Kajman. Po kështu, Holanda që shihet si një Kuvajt i dytë për nga shkalla e lartë e pasurisë që vjen edhe nga fushat e zbuluara të gazit natyror, por shihet njëkohësisht edhe si një Kolumbi e vogël, ku droga mund të prodhohet apo të kalojë pa shumë probleme.

Porti detar i Roterdamit është edhe një port i rëndësishëm për organizatat kriminale. U jep punë 180 mijë personave, është porti i parë në Evropë dhe vcetëm disa porte të Azisë Juglindore ja kalojnë sa i përket lëvizjes së mallrave: shkarkohen 15 mijë konteinerë në ditë. Dhe, nëtyrisht, kalojnë të gjithë gjerat e mundshme, duke përfshirë ato mallra që trafikohen nga organizatat kriminale. 

Kapjet e sasisve të drogës janë të përditshme. Kështu psh në fund të gushtit u kap një sasi prej 260 kilogramësh kokainë në një konteiner me mbeturina plastike që vinin nga Antilet Holandeze. Gjatë 2017-ës janë kapur ketu jo pak, por 5 mijë kg kokainë. Dhe është më pak se një vit më parë. Ndërkohë, po i bën konkurrencë porti i afërt i Anversës. Kur rritet kontrolli në njerin prej tyre, vërshon droga tek tjetri.
Korrupsioni në këtë port është i kuptueshëm, e tregojnë këtë edhe përgjimet telefonike, ku dëgjohen ryshfete të jashtëzakonshme: 4 milionë euro! Ky ishte zarfi për tre doganierë, që kishin një mbështetje nga më lart. Ata kishin kompetencë të caktonin se cilët konteinerë do të kontrolloheshin dhe cilët jo. Dhe doganierët e korruptuar doli se kishin lidhje me më shumë se një organizatë kriminale. Por trafikun e organizojnë edhe spedicionerët, punonjësit e sigurisë informatike, etj.

Siçilia
Për vite me radhë, brigjet e Trapanit, në Siçilinë perëndimore, kanë ofruar porte të sigurta për trafikantët. Jo rrallë rastiste për ata që bënin vrapime në natyrë, që t’u dilin përpara civilë të armatosur aty ku nuk ua priste mendja. Këtu janë vendosur për dekada depozita të mëdha të cigareve kontrabandë. 
Por gradualisht trafikut të cigareve i është shtuar edhe ai i valutave, parave false, gurëve të çmuar, armëve dhe drogës. Dhe tashmë zbarkimet nuk bëhen vetëm në këtë pjesë të ishullit, por edhe në pjesën lindore të tij, si dhe në Kalabri.

Brindisi, prej këtej kalojnë të gjithë…
Është porti më i bukur në botë dhe më i sigurtë. Kush nuk ka kaluar prej këtej në shekuj: Qesari, kryqtarët, Gandhi, 20 mijë refugjatët shqiptarë në vitin 1991, anije mallrash, jahte. Por kanë kaluar këtej edhe shumë gjëra të tjera: tonelata të tëra cigaresh, marijuanë e mbjellë në Shqipëri, armë, makina të vjedhura, duke e bërë shumë komode jetën për dhjetëra bosë të Sacra Corona Unita-s. Të cilët arritën edhe të “kolonizonin” zonën e Tivarit në Mal të Zi, ku priteshin me përzemërsi dhe jetonin të qetë.  

Më 1996 u kap një anije jo larg nga Brindisi me 30 mijë ton cigare kontrabandë, por u zbulua edhe një rrjet i tërë sipërmarrësish e bankierësh që shplanin paratë e pista.

Në një relacion të fundit të vitit 2017, Drejtoria Investigative Antimafia konstaton se “biznesi bazë i mafies brindizine mbetet gjithnjë gjobëvënia dhe tregtia e mariujuanës. Të dhënat e hetimeve tregojnë lidhje mes kësaj zone dhe Shqipërisë të favorizuara edhe nga afërsia gjeografike, prej nga kryhen lëvizje të sasive të mëdha të substancave narkotike”. Fakte të tjera flasin për bashkëpunim me shqiptarët, jo vetëm për blerjen e drogës, por edhe për shpërndarjen e mëtejshme të saj.

Autostrada e drogës
Sipas ekspertëve të Policisë italiane, pikërisht në det duhet të përqendrohen përpjekjet për të luftuar narkotrafikun. Gjatë vitit 2017 është arritur një rekord absolut i marijuanës së kapur, me një sasi prej 90 tonësh, nga Policia dhe Dogana gjatë prigjeve të Puglias. Në bashkëpunim me trafikantët shqiptarë, të cilët tashmë, sipas Policisë, kanë krijuar një rrjet të mirëfilltë në Itali, kriminaliteti i organizuar puljez ka arritur të kontrollojë trafikun e marijuanës që vjen nga Ballkani, por të mos harrojmë se edhe në terren janë kapur 35 ton dhe 12 mijë bimë marijuane të mbjella.

Por nuk është vetëm Pulja. Në Gioia Tauro janë kapur 2 ton kokainë më 2017-ën, nga 4 të kapura në të gjithë Italinë. Por sivjet këtu u kapën vetëm 70 kg, ndërkohë që në Livorno në mars u kapën 438 kg, 297 kg kokainë dhe 635 kg hashash në Gjenovë.

Tashmë 80 për qind e substancave narkotike futen në Itali nëpërmjet rrugëve detare, direkt nga vendet prodhues. Ndërkohë, është rritur në këtë drejtim edhe bashkëpunimi mes organeve ligjzbatuese të vendeve bregdetare evropiane, duke krijuar një qendër ndështetërore me seli në Portugali – një tjetër vend i piketuar nga trafikantët – që gjatë vitit të kaluar mundësoi kapjen e 136 tonëve kokainë, 390 ton kanabis, të cilat sëbashku do të sillnin një vlerë prej 13 miliardë eurosh në treg me pakicë.

Edhe konfliktet e armatosura në zonat e Afrikës Veriore kanë ndikuar në përdorimin gjithnjë e më të madh të rrugëve të transportit detar të drogave. Pra, portet detare janë objekt i një vëmendjeje, vëzhgimi dhe kontrolli të veçantë nga ana e organizatave të fuqishme kriminale, të cilat i kushtohen kryesisht trafikimit të substancave narkotike. Këto organizata më së shumti parapëlqejnë të vendosen pranë porteve. Ka ndodhur kështu për shembull me organizata kriminale nga Serbia, të cilat janë dislokuar në afërsi të porteve të Gjenovës, La Spezia-s, Livornos dhe Venecias. Kato konsiderohen si baza me të vërtetë ideale për depozitimin dhe shpërndarjen e kokainës, e cila vjen këtu drejtpërdrejt nga zonat e Ballkanit. Në këtë gadishull vitet e fundit janë krijuar vit pas viti baza operative të këtyre organizatave për këtë qëllim në Kroaci, Mal të Zi, Kosovë, Bullgari dhe Shqipëri. 

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë