Drone turke në lindje të Ukrainës

Drone turke në lindje të Ukrainës

Përdorimi i parë luftarak i një droni turk Bayraktar në Donbas të Ukrainës ka shkaktuar reagime në mbarë botën, përfshirë edhe Berlinin. DW ka biseduar me ekepertë për pasojat e mundshme.

Për herë të parë në Ukrainë është përdorur një dron turk - Bayraktar. Por efektet e përdorimit të dronit kanë qenë më të fuqishme në media, sesa në terren. Mediet ruse transmetuan me orë të tëra diskutime mbi një video njëminutëshe të transmetuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Përfaqësuesit e Kremlinit dhe Ministrisë së Jashtme ruse dënuan operacionin e ushtrisë ukrainase.

Qeveria gjermane shprehu shqetësiminpër luftimet dhe "përdorimin e droneve nga palët". Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme vuri në dukje se përdorimi i dronëve në zonën e konfliktit "është i rezervuar vetëm për OSBE-në". Andrij Melnyk, ambasadori ukrainas në Gjermani, u tha disa mediave se vendi i tij kishte një "të drejtë legjitime për vetëmbrojtje".

Dronet turke me motorë nga Ukraina

Sipas Kievit, përdorimi i parë për qëllime lufte i një droni turk ka ndodhur me 26 tetor pranë vendbanimit Hranitne në jug të Doneckut. Kievi raportoi se pozicionet ukrainase ishin qëlluar me një bateri artilerie D-30 nga zona separatiste. Një ushtar ukrainas u vra dhe një u plagos. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, droni i përdorur ka shkatërruar një nga topat e forcave proruse dhe granatimet u ndalën. Video tregon një shpërthim dhe njerëz që marrin arratinë.

Ukraina ka blerë dronet TB2 nga kompania turke Bayraktar Makina që nga viti 2018. Ato mund të përdoren si në luftime ashtu edhe për zbulime në terren. Kievi e përdor atë për forcat e tij tokësore dhe detare dhe dëshiron të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e tyre, si dhe një qendër shërbimi. Në këmbim, një kompani shtetërore ukrainase po furnizon kompaninë turke me motorë për dronë sulmues edhe më të fuqishëm.

A ka shkelur Ukraina Marrëveshjen e Minskut?

Gustav Gressel nga Instituti Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) në Bruksel i tha Detsche Welles se përdorimi i dronëve nuk ishte formalisht një shkelje e Marrëveshjes Minsk-2, e nënshkruar në shkurt 2015. "Arma ruse D-30 që qëndron atje sigurisht që shkel Marrëveshjen e Minskut. Droni jo", tha eksperti.

Minsk-2 parashikon tërheqjen e armëve të rënda me një kalibër më shumë se 100 mm. Kalibri i D-30 është 122 mm. Dronët nuk përmenden në mënyrë specifike në marrëveshjet e Minskut, të cilat, sipas Gressel, u mundësojnë separatistëve në Donjeck dhe Luhansk t'i përdorin ato për të hedhur mina dhe granata. Ushtria ukrainase kishte raportuar vazhdimisht për operacione të tilla. OSBE-ja, nga ana tjetër, raportoi se puna e dronëve të saj, të cilët supozohet të kontrollojnë armëpushimin, është duke u ndërprerë.

Sidoqoftë, që nga korriku 2020, palëve në konflikt u është ndaluar përdorimi i dronëve në Donbas. Në atë kohë u arrit një marrëveshje në kuadër të Grupit Trepalësh të Kontaktit për "forcimin e armëpushimit". Pika e parë parashikon "ndalimin e përdorimit të fluturuesve ushtarakë të çdo lloji”. Përdorimi i armëve të zjarrit, përfshirë snajperët, është gjithashtu i ndaluar. Por të shtënat vazhdojnë. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, pala ukrainase ka humbur 65 ushtarë, sipas shifrave zyrtare, kryesisht nga gjuajtja nga snajperët.

A do të ndryshojë ekuilibri i pushtetit në Donbas?

Mathieu Boulègue nga instituti britanik Chatham House thekson se të dyja palët nuk po i përmbahen marrëveshjes së Minskut. Eksperti ushtarak beson se përdorimi i një droni nga Ukraina nuk ndryshon rrënjësisht ekuilibrin e fuqisë, por forcon trupat e armatosura ukrainase në kryerjen e "operacioneve individuale për të frenuar armikun". Ai vëren se forcat dhe burimet janë shumë të kufizuara kur përdoren dronët ukrainas. Më saktë, bëhet fjalë për "retorikë dhe fitore në luftën propagandistike kundër Rusisë".

Boulègue përjashton mundësinë e ofensivës ukrainase në të ardhmen në Donbas, me ndihmën e dronëve turq, siç kishte bërë kohët e fundit Azerbajxhani në konfliktin e Nagorno-Karabahut. "Nuk funksionon kështu”, theksoi eksperti. Kievi nuk dëshiron të provokojë një përgjigje edhe më të keqe nga Rusia dhe të humbasë edhe më shumë territore. Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar një skenar të tillë më shumë se një herë.

Gustav Gressel argumenton në mënyrë të ngjashme. "Ka mjaftueshëm armë elektronike ruse dhe sisteme anti-ajrore në Donbas që mund të luftojnë dronët", tha ai, duke shtuar se Ukraina mbetet jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj një kundërofensive të mundshme ruse. Në të kundërt, disa dronë Bayraktar nuk mund të "ndryshojnë shumë lojën".

Një argument kundër dërgimit të armëve?

Wolfgang Richter, oficer i pensionuar i Bundeswehr-it dhe ekspert në Fondacionin e Shkencës dhe Politikës së Berlinit (SWP), e sheh atë pak më ndryshe. Ai tha se përdorimi i një droni nga Ukraina në Donbas ishte "natyrisht një shkelje e marrëveshjeve". Sipas tij, kjo konfirmon frikën e një përshkallëzimi të konfliktit nga të dyja palët./DW

"Është për t'u frikësuar se pala tjetër do të përgjigjet”, tha Richter. "Ky zhvillim tregon se dërgimi i armëve atje nuk e frikëson palën tjetër, por më shumë e inkurajon ate që të përdorë armët e saja".

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Lajm i mrekullueshëm për Michael Schumacher, legjenda e Formula 1 do të bëhet gjysh

Lajm i mrekullueshëm për Michael Schumacher, legjenda e Formula 1 do të bëhet gjysh