Partizani dhe Kukësi luajnë nesër në 15:45 për javën e 14-të në Superligë. Në "Kompleksin Partizani" dy skuadrat do kërkojnë tri pikët, teksa për mediat foli trajneri i të kuqve, Giovanni Colella. Italiani kërkoi më shumë siguri nga të tijtë, ndërsa në dy ndeshjet e radhës (përfshi derbin me Tiranën) kërkon gjashtë pikë.
"Pritshmëritë që keni për këtë përballje? Siç e kam thënë unë nuk isha pjesë e skuadrës në fillim të sezonit. Atë që nuk kisha mundësi ta bëja në fillim munda ta bëja këtë periudhë. Nga kjo ndeshje pres një vazhdimësi. Vetëm duke bërë paraqitje të mira mund të marrim dhe pikët.
Kush do të mungojë dhe si do të jetë situata? Për sa i përket Matondos ka pasur vetëm temperaturë. Hoti ka pësuar një dëmtim në kavilje dhe nesër nuk do të jetë. Ndërkohë Da Silva po vazhdon të përgatitet, por as ai nuk do të jetë. 13 ndeshje keni shënuar 15 gola.
Janë statistika të cilat i duhen një skuadre për të fituar kampionatin? Si në Shqipëri ashtu dhe në kampionatin italian e fiton kampionatin skuadra që pëson më pak gola. Eshtë edhe e vërtetë ato që pësojnë më pak mund të shënojnë dhe më pak gola. Statistikat tregojnë që ne kemi pësuar shumë gola. Por nuk duhet ta interpretojmë në këtë mënyrë. Ne duhet të pësojmë më pak gola për të arritur te objektivi madhor që kemi. Duhet të rregullojmë dhe pjesën e mënyrës tonë të lojës", tha Colella.
Trajneri foli edhe për barazimin dramatik kundër Erzenit disa ditë më parë, duke thënë se skuadra duhet të jetë më e vendosur.
"Neglizhencë e Partizanit në minutat e fundit? Është një konstatim i saktë. Por pikërisht kjo është ajo që kërkoj nga skuadra që ta menaxhojmë sa më mirë rezultatin në këto minuta. Fakti që skuadra ime kërkon gjithmonë të luaj futboll, nuk do të të thotë që herë pas here të bëjë pis duart. Kur je në llucë është e pamundur që të dalësh i pastër. Nuk vlen vetëm për Partizanin. Vlen edhe për skuadrat e mëdha.
Kukësi një mundësi e mirë për të shkuar me fitore në derbi? Dua ta konsideroj si një rekord për Kukësin të cilën unë jam përballur dy herë dhe dy herë ka ndërruar trajner. Sigurisht Kukësi nuk e meriton vendin në tabelën e klasifikimit.
Me sa pikë do të ishit i kënaqur në dy ndeshjet e radhës? Me 6. Nuk do të firmosnit për 4 pikë? Unë nuk firmos asnjëherë. Tentoj gjithmonë t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Ky është mentaliteti që unë dua t’i përcjell skuadrës. Dua të marrim gjithmonë maksimumin e pikëve. Nëse të tjerët janë më të zotë se ne, i japim dorën dhe largohemi", tha trajneri i Partizanit.