Presidenti Donald Trump po shqyrton ndërtimin e një Harku Triumfi 250 metra të lartë në Washington, një strukturë që do të ishte dukshëm më e madhe se Shtëpia e Bardhë dhe Memoriali i Lincolnit.

Sipas Washington Post Trump është fiksuar pas idesë që harku të jetë më i madhi në botë dhe të vendoset pranë lumit Potomac, në zonën e njohur si Memorial Circle, afër Urës Përkujtimore të Arlingtonit.

Arkitektë dhe ekspertë që fillimisht kishin mbështetur idenë e një harku shumë më të vogël, tani po shprehin shqetësim për përmasat. Ata paralajmërojnë se një strukturë kaq e madhe do të prishte ekuilibrin vizual dhe kuptimin simbolik të memorialeve përreth, përfshirë Memorialit Lincoln dhe pamjen drejt Varrezave Kombëtare të Arlingtonit.

“Ideja e një harku kaq të madh aty nuk funksionon,” tha kritiku i artit Catesby Leigh, i cili fillimisht kishte propozuar një hark të përkohshëm rreth 60 metra për të shënuar 250-vjetorin e SHBA-ve. Trump, sipas tij, po kërkon një monument të përhershëm dhe shumëfish më të madh.

Presidenti ka shmangur pyetjet për lartësinë konkrete, por ka qenë i qartë për ambicien. “Dua të jetë më i madhi nga të gjithë,” u tha ai gazetarëve në Air Force One. “Ne jemi vendi më i madh dhe më i fuqishëm.”

Sipas planit paraprak, harku mund të financohej nga donacione private të mbetura nga projekti i sallës së madhe të Shtëpisë së Bardhë, një projekt tjetër i shtyrë nga Trump, që ai ka thënë se mund të kushtojë rreth 400 milionë dollarë.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për probleme praktike. Memorial Circle është një rreth me trafik të dendur dhe vizituesit do ta kishin të vështirë.  Një hark i tillë mund të bllokojë pamjen e Arlington House, ish-rezidenca e gjeneralit Robert E. Lee, që shihet nga Washingtoni.

Historianë dhe planifikues urbanë nënvizojnë se zona është konsideruar për struktura përkujtimore që në fillim të shekullit XX, por gjithmonë me ide shumë më modeste. Ata theksojnë se çdo projekt i ri do të duhet të kalojë disa komisione federale dhe, me shumë gjasa, edhe miratimin e Kongresit.

Ideja e një harku triumfal në Uashington nuk është e re, por përmasat që kërkon Donald Trump po e kthejnë projektin në një debat të madh për identitetin urban dhe historik të kryeqytetit amerikan. Për arkitektët, pyetja kryesore mbetet: a duhet një monument i tillë të dominojë një nga korridoret më simbolike të qytetit, apo të kërkojë një vend tjetër për të mos e ndryshuar fytyrën e Washingtonit?