Dhjetëra banorë të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë u mblodhën përpara zyrave të Bankers Petroleum me pretendimin se prej fillimit të vitit nuk kanë marrë qiratë për tokat që kompania i shfrytëzon për rrugë, parkingje, sheshe dhe puse nafte.

“Nënoktraktori që ka ardhur këtu na kanë cenuar pronën në vlerësimin e saj, ne kontratën e kemi bërë para 10 vjetësh. Nuk do i lëmë të futen në pronën tonë, e kemi të shenjtë”, tha një banor.

Sipas banorëve, rreth 800 familje nga Marinëza, Belina, Sheqishta, Zharrëza, Kallmi, Frashëri dhe Kumani preken nga mospagesa. Ata kërkojnë respektimin e kontratave ekzistuese dhe kundërshtojnë kërkesën e kompanisë për ndryshimin e kushteve të qirasë.

Naftës i rritet çmimi dhe ne na ulet vlera e pronës tonë. Ne do të protestojmë deri në fund dhe do t’i dëbojmë nga pronat tona”, shtoi banori.

Po kështu kundërshtojnë pretendimin e Bankers Petroleum se tarifa prej 400 lekësh për metër katror është mbi vlerën aktuale të tregut.

Protestuesit kërkuan të takonin drejtuesit e kompanisë, por përpjekja për të hyrë në ambientet e saj u shoqërua me përplasje me rojet private.

Në mungesë të një zgjidhjeje, banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave, deri në bllokimin e aktivitetit në puset e naftës.

“Ne do ta kundërshtojmë protestën, kompania na ka zaptuar tokat dhe nuk na ka shlyer”, tha një banor tjetër.

Ndërsa kompania Bankers Petroleum nuk ka dhënë ende një përgjigje publike për pretendimet e banorëve.