TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për të dëshmuar në lidhje me deklaratat e bëra disa ditë më parë në 'Report Tv' se në Fier duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Ishin një prokuror dhe një oficer i Policisë Gjyqësore që morën  deklaratën e Petro Koçit, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit.

Pas dëshmisë për Prokurorinë e Posaçme Petro Koçi dha detaje edhe për mediat jashtë dyerve të SPAK.  Ai tha se kriminelë fusin duart te tenderat në Fier, madje sipas tij edhe kërcënojnë autoritetet lokale atje. Deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste bëri edhe akuzën e fortë se bota e krimit në Fier është e lidhur me politikën, sidomos me marrëdhënie me LSI, të cilën kanë ndikuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve të fundit.

Duke garantuar se ka vullnet për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë, Koçi tha ndër të tjera se ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra dhe i janë përkulur presionit të krimit në Fier.

"Shumica zyrtare në Fier nuk e kanë mirëpritur deklaratën time që do të thotë se u dhëmb, PS distancohet nga çdo individ që preket nga krimi, ky është një vullnet i palëvizshëm i PD. Media pas deklarimeve të mia ka bërë akuza dhe referime konkrete dhe ju them që çdo gjë konkrete e denoncoj, do jem politikan që jeta publike të jetë më e pastër", tha ai. 

Kujtojmë se Koçi i bëri deklarata e forta më 16 korrik, fillimisht përmes një postimi në Facebook dhe më pas më të zgjeruara në një intervistë për Report Tv.  

“Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat.  Bota e krimit dhe te korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike.  Protagoniste të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtareve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrenteve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke lare paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, tha ish-Zv. ministri i Mbrojtjes Petro Koçi 10 ditë më  parë.

Kjo është një deklaratë befasuese, por dhe e guximshme, duke qenë se Bashkia e Fierit drejtohet pikërisht nga socialistët dhe vjen në një kohë kur SPAK ka qenë shumë aktiv. Si fillim në “rrjetën” e SPAK ra kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe i akuzuat për shpërdorim detyre dhe abuzim me tenderët. Më pas ishte operacioni në Ministrinë e Brendshme ku u arrestuan zyrtarë dhe ish-zyrtarë për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit dhe së fundmi lënia në arrest shtëpia te ish-zv. ministres së Brendshme, Rovena Voda e cila në këmbim të një vendi pune mori 2 mijë euro, celular dhe një arkë me peshk.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:53
Pas dëshmisë në SPAK, Petro Koçi: Duhet të lajmë hesapet me botën e krimit, janë shumë influente në Fier! Është e lidhur me LSI-në

 

Deputeti Petro Koçi ka deklaruar pas dëshmisë në SPAK se në Fier është një botë goxha e konsoliduar që ka pastruar paratë.

"Unë jam një nga politikanët që kam bërë kallëzime penale disa herë. Gjatë fushatës denoncova një gjyqtar. Unë jam politikan edhe e ndjej që bota e krimit në Fier është goxha influente. Ky sensibilizim edhe për SPAK është shumë i nevojshme.  Ka pasur lidhje të konsoliduara me politikën. Lidhje me LSI-në ndikuan edhe në rezultatin e zgjedhjeve.Unë jam politikan, qëndrimet e mia nuk janë për të lartë hesapet me asnjë politikan, por me botën e krimit, nuk duhet të lejojmë që të kenë mundësi vendimmarrje në jetën publike, ato dikojnë, ose duke kërcënuar zyrtarë të niveleve të ndryshme. Shumica zyrtare në Fier nuk e kanë mirëpritur deklaratën time që do të thotë se u dhëmb, PS distancohet nga çdo individ që preket nga krimi, ky është një vullnet i palëvizshëm i PD. Media pas deklarimeve të mia ka bërë akuza dhe referime konkrete dhe ju them që çdo gjë konkrete e denoncoj, do jem politikan që jeta publike të jetë më e pastër. Nëse i referoheni historisë sime personale kam bërë kallëzime dhe pjesë e administratës së PS. Unë e kam sqaruar që në radhë të parë deklarata ime me këtë ka lidhje me punën pozitive që po bën SPAK. SPAK nuk ka asnjë kufizim, edhe në Fier është i lirë dhe i detyruar me ligj që veprojë në SPAK. Jam politikan që kam kallëzuar subjekte të ndryshme, nuk jam as prokuror e as gjyqtar, sepse emrat duhet që të disponosh dokumente konkrete, unë nuk jam hetues. Njerëzit e kësaj bote hynë më thjesht në punë se njerëzit e thjesht, atëherë...", tha ai.