Islam Dudaev i ka siguruar Shqipërisë medaljen e argjendtë në kampionatin evropian të mundjes që po zhvillohet në Tiranë. Mundësi me origjinë nga çeçenia nuk ia doli në finale kundër rusit Bashir Magomedov, i cili garoi nën flamurin e komitetit olimpik ndërkombëtar. Në Feti Borova Dudaev u ndal pas 4 fitoresh me rezultatin 10-0 në favor të Magomedov.
“Medalje e argjendtë nuk është medalje që i vjen Shqipërisë çdo muaj. Rezultat fantastic si për Islamin që rikthehet, por edhe për vendin tonë. Sigurisht që medalja e artë ishte ajo që ne donim më shumë, por jam i kënaqur me rezultatin,”-u shpreh Sahit Prizreni, president i FSHM.
Për Report Tv Prizreni zbuloi edhe bisedën me kryeministrin Edi Rama, i cili ishte në parkun olimpik për të ndjekur finalen e kategorisë 65 kilogramë stil i lirë.
“Kryeministri tha që qenka shumë i fortë. Realisht prezanca e tij tregon shumë. Tregon që sporti ka një impakt të jashtëzakonshëm,”-tha Sahit Prizreni, president i FSHM.
Ndonëse Dudaev u ndal te medalja e argjendtë shanset e Shqipërisë për të artën janë sërish. Të dielën mundësi tjetër Zelimkhan Abakarov do të diskutojë finalen për kategorinë 61 kilogramë stil i lirë.
“Jemi përballë shkollës më të fortë në botë, shkollës ruse. Finalisti i Islamit ishte rus. Tani kemi kampionin olimpik, kampionin e botës Ugujevin. Janë ndeshur 3 herë me njëri-tjetrin. Në dy të parët ka nga një fitore për secilin, por dua të them se djemtë e kanë kryer misionin duke i sjellë medalje Shqipërisë,”-deklaroi Sahit Prizreni, president i FSHM.
Me miratimin e shpërblimeve të reja të rritura Islam Dudaev përfiton nga medalja e argjendtë 4 milionë lekë të reja.
Lajmi kryesor:
Evropiani i Mundjes në Tiranë/ Islam Dudaev është nënkampion Evrope, mposhtet në finale nga rusi Bashir Magomedov











