Dudaj:Ja pse duhet botuar
Rushdie në gjuhën shqipe

Dudaj:Ja pse duhet botuar <br />Rushdie në gjuhën shqipe
TIRANE-Botuesja Arlinda Dudaj, thotë se ka shtatë arsye pse duhet botuar në shqip vargjet satanike dhe se shqiptarët akne nevojë t'ua shpjegosh gjërat. Nëse gjithçka shpjegohet nuk ka vend për keqkuptime, thotë ajo, duke shpjeguar se në këtë libër nuk fyhet Muhamedi dhe as komuniteti mysliman. "Thirrja e Salman Rushdie për liri nuk është kundër Islam-it, por kundër Islamizimit politik, që pretendon të qeverisë çdo aspekt të jetës", thotë Dudaj në nj prej argumenteve të saj. Ajo njofton se në shtator do të dalë në shqip, në të njëjtën kohë me shumë vende të tjera të botës, autobiografia e Selman Ruzhdie-s, ku ai rrëfen jetën në arrati, si e mori lajmin e dënimit me vdekje pasi shkroi "vargjet satanike" dhe ç'peshë pati ky libër në jetën dhe filozofinë e tij si shkrimtar. Por nëse botohet ky libër biografik me gjithë këto hollësi e analiza rreth "Vargjeve..." atëherë ç'farë mund ta pengojë botimin e këtij libri të shpallur heretik...? Botuesja Arlinda Dudaj na i rrëfen në këtë intervistë për "Shqiptarja.com".
Si erdhi Salman Rushdie në shqip. Cilët janë librat e parë të tij në gjuhën shqipe nga ju si botuese?
Salman Rushdie ka ardhur kohë më parë në shqip. Librat e parë kanë qenë saga e mrekullueshme "Psherëtima e fundit e arapit", "Furia" dhe "Haruni dhe një det historish". Libra të shkruara me një gjuhë të mrekullueshme, nën sfondin e mahnitshëm të realizmit magjik. Jam shumë e gëzuar që edhe të tjerë libra nga ky autor do të pasojnë. Midis tyre: "Fëmijët e mesnatës", "Vargjet satanike" dhe Autobiografia "Joseph Anton", e cila do të dalë në të njëjtën ditë në të gjithë botën, në 18 Shtator të këtij viti, një ngjarje e madhe në gjithë botën e editorisë dhe letërsisë.

Keni dashur gjithmonë ta botonit "Vargjet satanike", prej vitesh do të thoja...Megjithatë ende s'e keni sjellë në shqip këtë libër që siç duket ka ndezur kureshtinë e gjithë lexuesve. Cilat janë arsyet që nuk e keni botuar ende?
Po gjithmonë e kam shtyrë me idenë që do të vinte koha e duhur, e tani që ai vendos të shfaqet furishëm me rrëfimin për jetën e tij, për fatwa-n e tmerrshme që e dënoi të jetonte në fshehtësi pikërisht prej atij libri, them se është pikërisht momenti i duhur.
Pra keni në prag botimi autobiografinë e Rushdie-s, ku ai flet gjerësisht për "Vargjet..." dhe për atë ç'ka shkaktoi ai roman në jetën e tij. Mund të na thoni me pak fjale, çfarë referon Rushdie në këtë rrëfim mbi "Vargjet..."?
Po, patjetër që ai merret me atë roman që ia ndryshoi rrënjësisht jetën, rrëfen gjithë kalvarin e të jetuarit në fshehtësi, duke iu druajtur një dënimi që mund t'ia merrte jetën. Po ai flet aty për betejat mbi fjalën e lirë, njerëzit që e ndihmuan, botuesit dhe gazetarët që e mbështetën...ua ktheu dhe ai, duke iu mbajtur anën çdo kauze, kundër së keqes, luftërave, apo pro lirisë së të shprehurit, mjaft të përmendim këtu p.sh. daljet publike në krah të Roberto Savianos apo David Grossman.
Atëherë, nëse botohet autobiografia e Rushdie, çfarë kuptimi ka të mos botohen "Vargjet satanike"?
Pikërisht, kjo pyetje e ka brenda përgjigjen e vet, s'ka asnjë arsye të vetme.
Mund të na rendisni të gjithë argumentet që keni ju si botuese, pse duhet të vijë në gjuhën shqipe "Vargjet satanike"?

Po patjetër, janë disa:
-Sepse është një nga romanet më të madhërishme të fundshekullit të njëzetë. Një roman i rëndësishëm plot vitalitet, dëshpërim e shpresë.
-Rushdie nuk fyen Muhamedin dhe Kuranin. Romani është një produkt fantazie, dhe ta shfaqesh në këtë dritë, do të thotë ta shmangësh krejt nga natyra e vërtetë. Po përtej kësaj, reagimet që dolën pas daljes së këtij libri njëzet vjet më parë dhe fatwa e Komeinit që e detyruan Salman Rushdie të jetonte si eremit, shtrojnë disa pyetje të rëndësishme, apo jo?
-Thirrja e Salman Rushdie për liri nuk është kundër Islam-it, por kunder Islamizimit politik, që pretendon të qeverisë çdo aspekt të jetës duke e nënshtruar të gjithë shoqërinë nën interpretimin e vet.
-Çdo autoritet, qoftë ky fetar, politik, kulturor, ekonomik mund të jetë një objekt për t'u kritikuar. Ky është kuptimi i një shoqërie moderne dhe të çliruar nga autoritarizmi. E nëse duam të bëhemi pjesë e saj, duhet ta kemi parasysh.
- Paranoja për të censuruar nuk mundet kurrsesi të shkatërrojë krijimtarinë letrare apo trashëgiminë kulturore botërore. Po të qe kështu duheshin censuruar edhe Dante apo Shekspiri.
- Para se të kritikojnë do të doja t'i ftoja kritizerët e Vargjeve Satanike ta lexojnë romanin, rresht pas rreshti. Do të apasionohen pas ngjarjeve të dy protagonistëve, do të shijojnë letërsinë e gjuhën e mrekullueshme e do ta kuptojnë që nuk ka asnjë element blasfemie.
- Rushdie është një shkrimtar që e dashuron lirinë dhe urrehet nga fanatikët. Këtu feja hyn pak do të thoja, në raport me urrejtjen që ka shkaktuar te ekstremistët e rinj totalitarë. Të mos harrojmë të përmendim romanin tjetër të tij, "Fëmijët e mesnatës", i cili u pa si një kritikë ndaj dinastisë së Nehru-Gandhi dhe nga kërcënimet e të cilëve u detyrua të braktisë Indinë.
A e fyen Muhamedin, dhe librin e shenjtë të myslimanëve Rushdie?
Ia dhashë besoj përgjigjen kësaj pyetjeje.
Shqipëria është vend me shumicë myslimane, e megjithëkëtë ju sërish mendoni ta sillni në shqip, nëse marrim parasysh përvojën botërore, a trembeni mos fyhet e revoltohet popullsia myslimane? Apo shqiptaret e 2012 janë më mendjehapur nga ç'i kujtojmë ne...?
Argumentat e mia besoj e shpjegojnë këtë dhe po, mendoj se është kështu, shqiptarëve mjafton t'ua shpjegosh gjërat.

(Shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(jd Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza