Sot në Champions League pritet të përcaktohet fati i grupit C, ose ndryshe grupi i ‘ferrit’, ku bëjnë pjesë Bayern Mynchen, Barcelona, Inter dhe Viktoria Plzen. Fillimisht në orën 18:45 italianët e Interit presin në një stadium të mbushur plot çekët e Plzen, me qëllimin fitoren pasi 3 pikët i kalojnë automatikisht në turin tjetër. Zikaltërit shihen si superfavorit ndaj një kundërshtari që ka ngrënë një thes me gola, ndërsa sot do kthehet në stol pas gati dy muajsh edhe Romelu Lukaku.
Një hap fals i Interit do ndizte një shpresë të vogël të Barcelonës, që sonte pret Bayern Mynchen në Camp Nou. Barazimi ose humbja e italianëve mban në lojë katalanasit, që nga ana tjetër duhet të fitojë me patjetër kundër gjermanëve, të cilët janë kthyer në ‘macen e zezë’ të tyre. Çdo rezultat i barbartë me Interin Barcelonën e lë në grup për të dytin vit me rradhë, ndërsa Bayern nga ana tjetër ka siguruar kualifikimin që në xhiron e katërt.
Në grupin A Ajax ka një shpresë shumë të vogël, pasi duhet të mposhtë Lioverpool-in e vendit të dytë me të paktën dy gola diferencë, ndërsa Napoli i kualifikuar pret në Itali Rangers.
Në grupin B Atletico Madrid ka një ndeshje delikatë kundër Bayern Leverkusen, që duhet fituar me patjetër, pasi çdo rezultat tjetër thuajse e eliminon që në grupe. Spanjollët renditen të tretët me 3 pikë, Porto e vendit të dytë me 6 pikë, që sonte luajnë përballë Club Brugge të kualifikuar me 10 pikë.
Çdo llogari ndërkohë është e hapur në grupin D ku Tottenham-i i vendit të parë me 7 pikë pret Sportingun e vendit të tretë me 6 pikë. Sakaq Marseille e vendit të dytë po me 6 pikë do përballet në Francë kundër Eintracht, që në katër ndeshje ka grumbulluar katër pikë. Për pasojë të katër skuadrat janë ende në garë për dy vendet që të nxjerrin në fazën me eliminim direkt.