Çfarë rëndësie akademike dhe praktika ka përgatitja e një teme diplome?
Sigurisht që ka rëndësi shumë të madhe. Sipas kërkesave të sistemit të Bolonjës edhe një student i nivelit Bachelor duhet të përfundoj studimet duke përgatitur një mikro teze. Ndryshe kur kishin sistemin tradicional katër vjeçare mund ta mbronte me diplomë ose jo. Tani të gjithë studentët duhet të përgatisin një mikro-tezë për të mbrojtur diplomën. Mendoj se është një hap shumë i rëndësishëm, pasi që në nivelin Bachelor një student mëson se si të përgatisin një punim shkencor.
Cilat janë pikat kryesore e strukturës së një punimi shkencor?
Mesa di edhe degët e tjera ka një lëndë që quhet shkrimi akademik, një lëndë që është futur relativisht vonë në kurikulat e mësimore të nivelit universitar, por është një lëndë shumë e rëndësishme, lëndë të cilën në fakultet e zhvillojë unë, ku studentët përgatisin një ese akademike dhe mbi këtë ese mësojnë si të përgatisin një temë diplome. Është shumë e rëndësishme që një student të dijë fillimisht teknikisht se si përgatitet një temë diplome dhe çfarë ai duhet të ketë parasysh gjatë hartimit të saj. Ne teknikisht i mësojmë se diploma ka disa element shumë të rëndësishëm në hartimin siç është parathënia, siç është hyrja siç janë kapitujt, por përveç kësaj e rëndësishme është që studentët të dinë se si të shfrytëzojnë burimet primare dhe sekondare që duhen për të hartuar diplomën. Domethënë materialet arkivore dhe bibliografike. Ai duhet t’i shfrytëzojë, por duhet të dijë t’i citojë, pasi duke mos ditur t’i citojë ai mund t’i shfrytëzojë ata duke bërë një punim plagjiaturë. Por duke i shfrytëzuar, duke i cituar, por edhe duke i perifrazuar, studenti jo vetëm që nuk bën plagjiaturë, por sigurisht rrit karakterin shkencor të punimit, pa realizuar një kopjim intelektual.
Mund të na e tregoni në mënyrë më të detajuar?
Nuk është e lehtë që të thuhet kjo në një artikull gazete, pasi është pothuajse i gjithë programi i të gjithë lëndës shkrimi akademik. Si fillim duhet të përcaktoj temën e diplomës dhe këtë duhet ta bëj në bashkëpunim me udhëheqësin e tij. Pas hartimit të temës duhet të zgjedhë literaturën që duhet të shfrytëzojë. Në një diplomë Bachelor mund të hyjë ose jo në burimet primare, domethënë ai mund të hyjë ose jo në arkiv, gjithsesi ai duhet të shfrytëzojë një numër të konsiderueshëm mbi 20 vepra bibliografike në mënyrë që punimi i tij të mos quhet plagjiaturë. Pastaj ai duhet të fillojë që të grumbullojë materialet duke i kompjuterizuar, duke prerë faqet e fotokopjuara, duke fotografuar. Ka shumë metoda që mund të përdoren për grumbullimin e materialeve. Këto materiale mund t’i gjejë online nga e-book të cilat mund t’i kaloi “copy paste” ose me mënyrën elektronike që di të shfrytëzoi për t’i kaluar nga libri tek folderi që ai ka krijuar në kompjuterin e tij, në faqen që i duhet për temën. Pastaj në bazë të kapitujve që ka caktuar me udhëheqësin e vet fillon trajtimi i temës.
Trajtimi i temës bëhet duke shfrytëzuar edhe eksperiencën edhe njohurit që ai ka. Në fund duhet të përgatis hyrjet e cilat duhet të bazohet në materiale shumë të ditura. Në rastin e degës së Historisë, studenti mund të përdori Historinë e Shqipërisë dhe që në përgjithësi është parahistoria e fenomenit që ai trajton. Nëse do të trajtojë shpalljen e pavarësisë ai duhet që të tregojë se si erdhi elita shqiptare në prag të shpalljes së pavarësisë. Në qoftë se ai ka Kongresin e Lushnjës duhet të trajtojë se si ishte Shqipëria në vitet 1912-1920. Më pas duhen përgatitur parathëniet e cila është shumë interesante. Në parathënie duhet të bëjnë një analizë të strukturës së punimit, një analizë të materialeve që ka grumbulluar, duke mbajtur shpesh edhe një qëndrim kritik ndaj literaturës bibliografike që studenti ka shfrytëzuar, por edhe një paragraf duhet të ketë falënderimet për pedagogët, për njerëzit familjarë për bibliotekarët që e kanë ndihmuar në hartimin e mikro-tezës. Në mbyllje diploma duhet të ketë ose një epilog ose përfundime. Në epilog ka post historinë në fenomenin që trajton ndërsa në përfundime sigurisht që duhet të parashtroj disa çështje kryesore, të cilat studenti ka arritur pas hartimit të diplomës. Në fund fare duhet të ketë bibliografinë ku të listojë të gjithë materialin që ka shfrytëzuar në hartimin e një diplome. Unë i sugjeroj një studenti që citimet, pra materialet që shfrytëzon t’i ketë në mënyrë kompjuterike dhe të jenë të listuara në fund të faqes. Pra të gjitha citimet duhet të mbështetet tek ajo që quhet stili i Çikagos.
(Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com 12 mars 2014)
