Duka: Me Serbinë të luhet me tifozë
futbolli i mbyll ndasitë mes popujve

Duka: Me Serbinë të luhet me tifozë<br />futbolli i mbyll ndasitë mes popujve
TIRANE - Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka, ka theksuar se përballjet mes Kombëtares sonë dhe asajt të Serbisë, të vlefshme eleminatoret e Europianit “France 2016”, duhet të luhen me tifozë të të dyja palëve.

Në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të FSHF, referuar emocioneve që ka kjo përballje, Duka shprehet se kjo ndeshje duhet të luhet me tifozë, pasi ata janë e bukura e futbollit.

Sa i përket mosmarrëveshjeve historike mes dy popujve, Duka nënvizon se futbolli duhet të mbyllë hendeqet dhe jo ti thellojë edhe më tepër ata, duke shtuar se të dyja vendet duhet të tregojnë se janë popuj evropianë. Ndërsa në lidhje me ndeshjet e kthimit, e cila do të luhet në Elbasan, Duka shprehet se tifozët e Serbisë janë të mirëpritur. 

Përballja e parë mes Serbisë dhe Shqipërisë do të luhet më 14 tetor të këtij viti në Beograd.

Më poshtë intervista e plotë e Presidentit të FSHF, Armando Duka:  
 
Ndeshja e tretë në grup për kombëtaren e Shqipërisë, do të luhet në Beograd më datë 14 tetor. Cilat janë përgatitjet për këtë ndeshje, përpos spekullimeve mediatike?
 
Sigurisht, që është një ndeshje shumë e rëndësishme nga pikëpamja sportive për më tepër, që ne, tashmë kemi fituar ndeshjen e parë jashtë, në një grup shumë të fortë. Nga pikëpamja e sigurisë, mund të duket si problematike por unë kam besim se janë të gjitha probleme, që mund të kapërcehen në bashkëpunim dhe me dëshirën e mire, për të parë spektakël futbolli.
 
Federata Serbe, si organizatore e aktivitetit ka presion nga ana e policisë vendase, që ndeshja të mos ketë spektatorë, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm. Cili është opinioni i Presidentit të FSHF në lidhje me këtë?
 
Unë jam i mendimit, që si tifozët shqiptarë në Beograd, ashtu edhe ata serbë në Elbasan të jenë të pranishëm në stadium. Futbolli është një sport që luhet për tifozët dhe ata i japin atij bukuri të veçantë. Në fund të fundit, futbolli luhet për ta dhe janë pjesë e pandashme e lojës. Kështu që, do të ishte mirë që ata të ishin të pranishëm në të dyja ndeshjet.
 
Megjithatë mosmarrëveshjet historike mes shqiptarëve dhe serbëve, mund të ndikojnë emocionalisht tek tifozët në këtë ndeshje. Ju si mendoni?
 
Së pari po e ritheksoj, është thjeshtë një ndeshje futbolli. Nga ana tjetër, jam i mendimit që ne, hendeqet e krijuara nga koha dhe historia, duhet ti mbyllim dhe jo ti thellojmë më tepër. Jemi dy popuj europianë, që ushqejmë të njëjtën aspirate, për të hyrë në BE dhe mendoj se kemi kulturën e nevojshme për t’u sjellë si njerëz të qytetëruar të Europës.
 
Tifozët shqiptarë, kanë shprehur dëshirën dhe gatishmërinë për të qenë në Beograd dhe mbështetur skuadrën kombëtare. Ç’mendoni për këtë?
 
E thashë edhe më lart, që unë jam i mendimit se të dyja tifozeritë duhet ta ndjekin ndeshjen si në Beograd ashtu edhe në Elbasan. Më duhet të theksoj për të gjithë opinionin brenda dhe jashtë Shqipërisë, që tifozët shqiptarë asnjëherë nuk kanë bërë rrëmujë dhe nuk kanë shkaktuar dhunë, kudo ku kanë shkuar. Ata janë treguar gjithmonë korrektë në sjelljen e tyre dhe unë gjej rastin ti përshëndes për këtë dhe mbështetjen që i japin skuadrës kombëtare.
 
Po për ardhjen e tifozëve serbë në Elbasan, çfarë mendoni?
 
Ju garantoj se ne, do ti presim në mënyrën më korrekte të mundshme dhe ndaj tyre nuk do të krijohet kurrfarë incidenti dhe me një siguri maksimale. Fryma e Fair Play-t, do të jetë mbizotëruese jo vetëm në fushë por edhe në tribunat e spektatorëve. Këto janë ndeshje futbolli, të cilat duhen përjetuar si festa dhe jo si arena për të shfryrë kundër njeri tjetrit.
 
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Poliçan/ Kishin kultivuar kanabis në fshatin Plashnik, asgjësohen 116 bimë, 5 të arrestuar, mes tyre edhe një 21-vjeçar (EMRAT)

Poliçan/ Kishin kultivuar kanabis në fshatin Plashnik, asgjësohen 116 bimë, 5 të arrestuar, mes tyre edhe një 21-vjeçar (EMRAT)