Duka sulm Braçes: Palaço, larg
nga futbolli, Deputeti: I shitur!

Duka sulm Braçes: Palaço, larg<br />nga futbolli, Deputeti: I shitur!
Një nga ngjarjet më të rënda të historisë së trukimeve të futbollit tonë, të cilën skuadra kampione e Shqipërisë e vuajti me pezullimin për një vit nga aktivitetet ndërkombëtare, vazhdon të dominojë opinionin publik, jo vetëm sportiv.

Nënkampionët e Partizanit, veç përfitimit të parave të UEFA-s me statusin e kampiones, për shkak të këtij penalizimi, kanë kërkuar edhe titullin kampion të sezonit të shkuar. Por presidenti Duka e mbyll debatin: Skënderbeu mbetet kampion i vendit.

Duka flet për herë të parë në një intervistë për Top Channel edhe për përfshirjen e politikës në futboll, duke goditur thuajse drejtpërdrejt tifozin më të zjarrtë nga radhët e politikës në stadiumet tona, deputetin Erion Braçe.

“Nga pikëpamja juridike ne nuk kemi se çfarë të bëjmë më tepër, sepse po të lexosh statutin e FSHF-së, shkalla më e lartë e gjykimit është CAS-i. Ai komision ka të drejtë ta përjashtojë edhe nga kampionati shqiptar, por edhe fare nga futbolli, megjithatë ka marrë atë vendim që ka marrë. Pavarësisht se ndonjëri ka pasur dëshirë ta dënojnë me vdekje, ata e kanë dënuar me një vit mospjesëmarrje në kupat e Europës”, shprehet Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Presidenti Duka sqaron edhe njëherë se, kërkesa e Partizanit për të marrë titullin kampion të sezonit të kaluar është ligjërisht e pamundur.

Organet juridike të FSHF-së janë nën nivelin e CAS-it. Çdo lloj vendimi, edhe nëse do ta marrin organet e Federatës Shqiptare të Futbollit, palët në fjalë, qoftë Skënderbeu apo Partizani do ta ankimojnë në CAS dhe më pas CAS-i do të shprehet duke thënë se e ka marrë një herë vendimin për këtë çështje, e për këtë arsye nuk mund ta ndryshojë më atë. Nuk besoj se kjo çështje duhet diskutuar më”, tha Armand Duka.

Për presidentin e FSHF-së, futbolli është gjëja më e mirë që ka vendi ynë, duke iu drejtuar më pas politikës, e në veçanti atyre që sipas tij kërkojnë shpeshherë ta përbaltin këtë sport. Kësaj radhe, kritikat, insinuatat dhe goditjet që ka marrë sistematikisht nga deputeti socialist dhe tifozi i Partizanit, Erion Braçe, marrin një përgjigje:

“Për mua, futbolli është gjëja më e mirë që ka Shqipëria, pa dashur të mohoj problematikat që ka. Ka 1001 probleme, sepse është një lojë, ka pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, ka emocione të mëdha, ka garë brenda, por është gjëja më e mirë që ka Shqipëria. Dhe më vjen keq, aq më tepër kur flet ndonjë palaço apo klloun nga politika. Ndonjë klloun i vogël kërkon të hedhë baltë mbi futbollin tonë”, tha Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Braçe i përgjigjet Dukës: Je tregtar arrogant e i shitur, s'bëj kompromis
Pas publikimit të intervistës së presidentit të FSHF-së, Armando Duka, dhënë për Top Channel, ku flet kryesisht mbi dënimin që mori ekipi kampion i Skënderbeut për trukimin e ndeshjeve me një vit përjashtim nga kompeticionet europiane, ka reaguar deputeti socialist Erion Braçe, emri i të cilit u përmend në fund të saj, si një politikan që përpiqet të përbaltë sportin më të bukur e më të dashur në vend.

Në reagimin e tij, Braçe hidhet menjëherë në kundërsulm, duke u shprehur se “pasi lexoj intervistën e Dukës, e kuptoj qartë se çdo sharje, fyerje e madje edhe dhuna në futboll buron ekzaktësisht nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit”.

Deputeti socialist thotë se, pas publikimit nga UEFA të një raporti mbi dyshimet për trukim të ndeshjeve në Champions, Europa League, por edhe në Kategorinë Superiore, ai ka bërë një reagim në të cilin thotë se nuk ka ofenduar askënd, as nuk ka baltosur dikë.

Më tej ai shprehet se për gjithçka përshkruhet në raportin e UEFA-s, sipas tij faji është i institucioneve dhe FSHF-ja është vetëm njëra ndër to. “Gjithçka kam thënë, as që ka lidhje me të qenit deputet, politikan domethënë. Unë në stadium nuk shkoj si i tillë. Unë në stadium kam shkuar para se ky agai të bëhej president i këtij institucioni. Kam shkuar prej tim eti, jo prej ndonjë politikani. Ndaj, për të shkuar në stadium, as që më shkon në mendje t’i marr leje këtij apo kujtdo tjetër. Ashtu siç për të refuzuar të bëhem pjesë e ndeshjeve të rreme, nuk do i marr leje kurrë këtij apo kujtdo tjetër”, shkruan Braçe.

Socialisti Braçe shton më tej se “Kulturën e këtyre tregtarëve arrogantë, që dinë gjithçka, kanë gjithçka, pronësojnë gjithçka, urdhërojnë këdo, nënshtrojnë cilindo, e neveris! Topi në këtë vend nuk është i këtij, fushat dhe stadiumet gjithashtu nuk janë prona e këtij, ekipet e futbollit as që kanë lidhje me të dhe nuk duhet kurrë të kenë lidhje me të, gjithnjë nëse ka një garë”.

Në vijim, deputeti i PS-së i referohet personalisht Armand Dukës, kur thotë:

Tani një gjë personale. Armand, mua në 20 vite në politike nuk më njeh kush për palaço apo klloun. Pyet tët vëlla për këtë se të tregon. Kam pasur mendjen dhe bindjen time, mbi to kam folur pa pyetur hiç sesa parà ka pasur në lojë, e sa parà ke pasur ti aga në lojë. Jo! Kam thënë gjithnjë atë që mendoj, pa u ndikuar nga ndokush. Mbi të gjitha kam thënë fort të vërtetën! Nuk kam bërë kurrë kompromis me kënd për të, me kosto personale natyrisht. Ky quhet karakter dhe dinjitet. Kllouni dhe palaçoja shesin e blejnë dhe këtë ta shesin për ndershmëri! Unë këtë nuk do e bëj kurrë! Ndaj jam këtu ku jam, i zgjedhur. Kupton? I zgjedhur, i votuar nga mijëra njerëz të ndershëm, të cilëve u jam pafund mirënjohës për besimin. Pa parà Armand, thjesht me punë, nder, dinjitet dhe pa kompromis për të vërtetën. Kot ta përmend këtë të fundit, ti s’ke lidhje me të”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ I vihet zjarri selisë së Partisë Socialiste nga protestuesit e PD! Policia i shpëndan me gaz lotsjellës! Pamjet me dron të Report Tv

VIDEO/ I vihet zjarri selisë së Partisë Socialiste nga protestuesit e PD! Policia i shpëndan me gaz lotsjellës! Pamjet me dron të Report Tv