SHKODER - Reshjet e borës të rënë gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar sërish probleme në disa zona të vendit.

Situata më e rëndë paraqitet në rrethin e Shkodrës, sidomos në zonën e Dukagjinit. Ajo është izoluar totalisht nga bora, trashësia e së cilës arrin deri në 1.5 metra.

Kjo situatë ka krijuar një gjendje alarmante tek banorët, sidomos për të sëmurët. Helikopterët, të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë, u kanë ardhur në ndihmë për transportimin e rreth 30 të sëmurëve drejt spitalit rajonal të Shkodrës, pasi me automjete qarkullimi është i pamundur, rrugët janë bllokuar totalisht.

Në këtë zonë mungojnë energjia elektrike, valët e telefonit, ilaçet për të sëmurët e tashmë kanë nisur të mbarojnë edhe rezervat ushqimore.

Zona e Dukagjinit është e bllokuar prej disa javësh nga dëbora, ndërsa banorët bëjnë apel për ndihmë.

Redaksia Online
(ar.sh/Shqiptarja.com)