Tenderi i Albpetrolit ka shkaktuar një hutim të përgjithshëm. Euforia qeveritare e momenteve të para është fashitur prej heshtjes së kryeministrit, ndërsa opozita nuk ka bërë asnjë koment për ofertat e hapura të premten në 7 shtator. Atë ditë kur Vetro SilkRoad Enquiry, një firmë e regjistruar në Çikago lëshoi ofertën gjigande 850 milionë euro. Janë aq para sa mund ta nxjerrin ekonominë nga kriza e likuiditetit dhe të rimëkëmbin të gjithë sektorët që lëngojnë nga kriza. Mund të ndihmojnë në uljen e borxhit publik që ka arritur pikën kritike dhe mund të hapin rrugën për investime të domosdoshme dhe elektorale. Ardhja e firmës nga Shtetet e Bashkuara mund të ndikojë ndjeshëm në forcimin e marrëdhënieve dhe afrimin e mëtejshëm të interesave të Shqipërisë me fuqinë më të madhe në botë.

Por kryeministri nuk duket i lumtur. Ende nuk ka reaguar, ndoshta nga dyshimet që e kanë shoqëruar proçesin e tenderit dhe veçanërisht firmën e paraqitur që rrethohet nga misteri. Por, ndoshta Berisha e ka kuptuar që tenderi rrezikon të dështojë ndaj nuk nxitohet të shpallë “bingon”. Rreziku i dështimit në radhë të parë ka të bëjë me firmën amerikane, që përveç regjistrimit duket se ka shumë pak pika lidhjeje me aleatin më të madh të Shqipërisë. Aksionerët nuk janë amerikanë, veprimtaria e firmës në SHBA nuk ekziston, të paktën në fushën e energjisë dhe gjurmët çojnë në lindjen e largët. Këto nuk do të ishin problem nëse garancia që duhet të depozitonte firma do të kishte një firmë, pra një person përgjegjës. Kjo parregullsi rrezikon ta përjashtojë atë nga tenderi. Nëse Vetro SilkRoad përjashtohet, atëherë oferta e dytë me 550 milionë euro më pak është e Bankers Petroleum. Në këtë pikë nuk bie vetëm shifra. Firma kanadeze që ka prej vitesh konçesionin e një pjese të naftës, jo vetëm nuk paraqet asnjë interes strategjik të Shqipërisë, por është bërë problematike në shfrytëzimin e konçesionit. Taksat që i ka paguar shtetit nga shfrytëzimi i naftës janë pothuajse zero, investimet e firmës janë minimale dhe metodat e nxjerrjes së naftës po shkatërrojnë burimet natyrore të energjisë në zonë. "Tërmetet" në fshatin Zharëz, janë pikërisht operacionet e dyshimta të Bankers që përdor metoda të ndaluara për nxjerrjen e naftës. Banorët e zonave ku operojnë kanadezët po humbasin tokat dhe shtëpitë, ndërsa vendi po humbet burimet e energjisë që shkatërrohet nga shpërthimet nëntokësore. Nëse deri tani Qeveria e ka lënë firmën kanadeze të shfrytëzojë pa asnjë kontroll burimet e naftës, nuk mund të lejojë gjithë industrinë e naftës dhe të gazit në këtë dorë.

Qeveria i dha Albpetrolit përpara privatizimit të drejta ekskluzive të naftës dhe të gazit, burimet natyrore në det dhe në tokë, ekzistuese dhe joekzistuese, që të përfitojë sa më shumë nga privatizimi, por edhe që të hyjë në projektet e mëdha ndërkombëtare të energjisë. Dhe Bankers Petroleum që po tenton të blejë Albpetrolin me paratë e detyrimeve të papaguara në shtet, nuk mund të hyjë në projekte të tilla. Në këto kushte Albpetroli nuk mund të shitet dhe tenderi rrezikon të dështojë. Nga bingo në dështim vërtitet privatizimi më strategjik i vendit. Nuk do të ketë shitje normale, se nuk ka ofertë normale.

Mungesa e ofertës normale vjen pikërisht nga strategjia e gabuar e qeverisë. Nëse liçencën e Llotarisë Kombëtare po e jep pa patur parasysh kriterin financiar, por besueshmërinë e firmës, tenderin e shitjes së pasurisë më të rëndësishme të vendit kërkon ta shesë për një ofertë financiare. Duhet të ishte e kundërta. Liçenca e Llotarisë, që është një biznes jo strategjik për vendin, që nuk kërkon investime të mëdha dhe që ka fitim të parashikuar me ligj, duhet të shitej në bazë të çmimit, ndërsa sektori i energjisë duhet të shitej në bazë të interesave strategjike të zhvillimit të vendit. Buxhetin e zbrazur duhet ta mbushte llotaria dhe zhvillimin e qëndrueshëm investimet e mëdha në fushën e energjisë. Përmbysja e strategjisë lë vend për dyshime, jo vetëm për llotarinë, por edhe për Albpetrolin. Nëse tenderi dështon, përgjegjësia i mbetet qeverisë që zgjodhi strategji të gabuar.

Hyrja e një firme të madhe amerikane, veçanërisht në sektorin energjetik, është arsyeja e vetme që tenderi i Albpetrolit, i ndërtuar gabim dhe i menaxhuar gabim, nuk është vënë në shënjestrën e mediave dhe të opozitës. Kjo rekflekton shpresën e shqiptarëve për t'u bërë pjesë e projekteve të mëdha me aleatë të mëdhenj, si SHBA. Vizita e zëvendësndihmës sekretarit Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, në shumë raste u lidh më këtë zhvillim strategjik të rëndësishëm për Shqipërinë. Por tenderi rrezikon të dështojë. Mes dështimit dhe bingos, mund të zgjidhet vetëm e dyta. Por duhet një garant.

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptajra.com
(sg/shqiptarja.com)