Ende nuk është vendosur mënyra e kandidimit të PBDNJ-së në zgjedhje, por nuk përjashtohet krijimi i Polit të Tretë me LSI-në. Kreu i saj, Vangjel Dule shpjegon arsyet e shkëputjes nga PS. Ditë pas dite po flitet për një bashkëpunim të mundshëm të PBDNJ-së me LSI-në në zgjedhjet e 23 qershorit.

Të dyja këto forca politike mund të jenë katalizatorët e një Polit të Tretë, aq të përfolur sot. Por, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, pasi pranon domosdoshmërinë e këtij poli në politikën shqiptare, thotë se ende nuk ka asgjë konkrete.

“Jemi përgatitur për të gjitha variantet potenciale të kandidimit në zgjedhjet e ardhshme, duke filluar nga kandidimi më vete, e deri me koalicione me një apo më shumë parti”, shton ai. “Lidhur me një pol të mundshëm të tretë, teorikisht do të ishte shumë i dobishëm, jo vetëm për forcat politike që do ta përbënin atë, por edhe për jetën politike në vend.

Do të thyente bipolaritetin politik që, për mëse dy dekada, e mban vendin në një stanjacion politik, ekonomik dhe shoqëror; do të thyente polarizimin e tij artificial dhe shterp, që ka frenuar civilizimin e jetës dhe klasës politike”,l thotë Dule. Sipas tij, një nga variantet kryesore të bashkëpunimeve, jo vetëm për PBDNJ-në, por edhe për forca të tjera, do të jetë edhe ai i krijimit të një poli të tretë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)26.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)