TIRANE - Kryetari i PBDNJ Vangjel Dule përballë një paneli gazetarësh në emisionin Tonight të Ilva Tares ka deklaruar katër variantet e koalicioneve, duke evidentuar PS si zgjedhje të parë ndërsa nuk parashikon asnjë mundësi aleance me PD për zgjedhjet e 23 qershorit.

Teksa ka nënvizuar se deri më tani është në momentin e njohjes së territorit politik, Dule tha se politika shqiptare në tërë këto vite po vuan bipolaritetin. “Për PBDNJ janë të hapura të katër opsionet. Duke pasur një elektorat të përqëndruar në disa qarqe e konkretisht për nga dendësia e influencës duke u nisur nga Vlora, Gjirokastra, Korca e Tirana nuk përjashtojmë në asnjë rast dhe opsionin e kandidimit të pavarur të PBDNJ duke pasur mundësinë e një konvergimi në hapësirën e minoritetit grek.

E dyta do të ishte arritja e një marrëveshjeje të një koalicioni parazgjedhor me PS, që nuk ka ekzistuar por që përmes dialogut mund të arrihet deri në skadimin e afateve ligjore për mënyrën e kandidimit”, deklaroi Dule. Njëherësh për të opsioni i tretë mund të ishte një bashkëpunim në qendër që mund të ishte LSI, mund të ishte FRD dhe forca të tjera politike që kanë marrëdhënie të mira me shtetin e së drejtës.

“Dhe opsioni i katërt mund të ishte një bashkërendim veprimesh pa bashkëpunime të drejtëpërdrejta me një bashkëpunim të tërthortë si me PS ashtu dhe me forcat e tjera, duke orientuar influencën elektorale në shumicën e qarqeve pa pretendime mandati dhe për të marrë një mbështetje elektorati për të fuqizuar variantin tonë të parë në ato qarqe ku kemi këtë influencë e ku do na e bënte më të sigurtë fitimin e mandatit”, tha Dule.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)