Talo Çela, Erjon Alibej dhe Nuredin Dumani
I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, ka rrëfyer në seancën e radhës ditën e sotme në GJKKO se si realizoi atentatin ndaj Dorian Shkozës pak para shpërthimit të pandemisë, në vitin 2020 në Durrës.
Ai tha se Shkozën e kishte shok të ngushtë dhe i ishin dhënë 100 mijë euro për ta bërë, por nuk ka dhënë motivet. Por flet për takimet me Erjon Alibejn, kreun e një prej organizatave kriminale në Elbasan, me të cilin Dumani kishte krijuar edhe aleancën, e rrëfyer në seancat e mëparshme gjyqësore.

Në rrëfimin e sotëm doli për herë të parë edhe emri i Florenc Çapjas, një prej krerëve të bandave të Elbasanit, me të njëjtin emër e që tani ëhstë i shpallur në kërkim, teksa rezulton se fshihet në Dubai.
Dumani tregoi se Çapjas i kishte marrë hua makinën “Benz” duke i thënë se i duhej për atentat, por pa i treguar emrin e shënjestrës.
“I kam treguar Erjon Alibej që Eljo Bitri do ishte gjuajtësi i Dorjan Shkozës. Eljo Bitri nuk e ka pas takuar Alibejn më përpara. Florenc Çapja më dha makinën që përdora në vrasjen e Dorian Shkozës. Te ‘Bishti Zhurit’ ma dha. Ia kërkova hua. Ishte një “Benz blu” i errët ose i zi. Ishte pa xhama të zinj. I thashë Florenc Çapjas që më duhej makina për atentat, po jo për kë. Ai e pa në televizor ngjarjen kur u gjet makina e djegur. Më shkruajti në aplikacionin Sky Ecc. Me Çapjan kam folur disa herë në Sky. Për herë të fundit kam folur kur u plagos Ardjan Çapja. Pas kësaj ngjarjeje”, tha Dumani.
Më tej ai tregoi edhe rrethanat se si veproi para atentatit në Durrës.
“Gjysmë ore para ngjarjes u ula te një kafe “Kafe Mevlani” rreth 100 metra nga vendi ku u bë vrasja. Ishte dhe Anxhelo Avdia aty, por pastaj iku. Nga kafja, kur del te rruga, duket servisi i Dorian Shkozës. Servisi nga vendndgjarja është rreth 100-200 metra larg. Në krahun e majtë është servisi dhe kafja. Shtëpia ime është afër me servisin e Shkozës. Më tha Asllan Plaku që Dorian Shkoza u shkëput për një moment nga servisi. Me Plakun komunikonim me telefon të thjeshtë. Te vendi i quajtur “Valuta” blemë 3 telefona, Klevisi ose Asllani i bleu, nuk më kujtohet saktë. 200-300 euro i dhashë. Telefonat u blenë në mënyrë që të komunikonim për Dorian Shkozën. Me Henrikun për këte ngjarje flisja në Sky, dhe me Eljon. Eljo dhe Henriku ishin të dy bashkë”, dëshmoi ai.
Lajmi kryesor:
‘Plumbi i artë’/ Dumani: Më dhanë 100 mijë euro për vrasjen e shokut tim Shkoza! Komisari Lamaj më ra në hak! Diva: Gjyqtarë e deputetë takonin Nuredinin, kam 120 minuta incizime
A.Q/Shqiptarja.com

