Ca sy të kaltër, rrethuar me gjelbërim, ka kohë që e shikojnë qiellin dhe shkrihen së bashkë me të. Nuk janë sy, njerëzor, por të 84 liqeneve karstike të Dumresë. Emocione të mëdha të mbërthejnë kur je pak çaste pranë tyre, dhe pa ngurruar i quan perla të dhuruara nga vetë Zoti.
Me gëzimin e parrëfyer në shpirt udhëtoj drejt tyre me miqtë e mi: Veliun dhe Ajetin, që e shkelinin për herë të parë Dumrenë. Rrugët, nga Elbasani, Peqini, Lushnja dhe Kuçova, e sjellin më afër këtë trevë të bukura të Shqipërisë. Ato të dikurshmet, të çrregullta e të përbaltura që përcillnin jetën e banorëve, gëzimet dhe hidhërimet ishin dëshmia më shqetësuese e lënies pas dore të saj. Tashmë, Dumrea e nxjerrë nga pluhuri i harresës, me rrugët gjithë standarte dhe projekte që i kanë dhënë jetë, liqeneve, pyjeve e kodrave, të dallgëzuara larmishëm, me shpalosjen si kordele: të arave të sistemuara, vreshtave, pemëve frutore dhe ullinjëve; ku spikatin vendbanimet ndërtimet, të godasin kujtesën e historisë dhe ngjarjeve gjatë shekujve.
Belshi, qyteza piktoreske që të befason
Belshi, është një qytet i vogël, por i këndshëm i shtrirë buzë liqenit dhe i mbështetur pranë tij. Ai është qendra e Dumresë historike. Kohët e fundit duke përfituar nga projektet e rikualifikimit urban (ende punohet për hijeshinë e dëshiruar), ka ndryshuar pamjen me hapësira të reja, që bëjnë të ndjesh deri në prekje shpirtërore magjinë e tij. Belshi deri para pak kohësh kurrsesi nuk mund të quhej qytet.
Ai ishte i përbërë gjithë-gjithë nga disa godina me fasada të zbardhëlluara nga dielli, rrugë të pluhurosura dhe pa lulishte, me ndërtimet pa leje të shtrira buzë liqenit e plehra që hidheshin aty. Bashkia e Belshit, me kryetarin e saj Arif Tafani po i jep shpresë, të mos e lerë të "vdesë" atë në harrim. Arifi është bërë lajmëtar i këtij zhvillimi me vlera, duke fituar “zemrat’’ e banorëve të vet, për të bërë atë që mund të bëhet, për një jetë më të mirë, duke ia ndërruar çdo ditë e më shumë pamjen Belshit dhe Dumresë për ta bërë një perlë të vërtetë. Megjithatë perspektiva e Belshit zvetënohet nga papunësia e banorëve, të cilët kanë vështirësi ekonomike, edhe pse ekzistojnë mundësi në gjuetinë e peshkut dhe biznese bujqësore, që ata i ushtrojnë me mjeshtëri.
Kur arritëm në Belsh jo vetëm vështrimi im, por edhe i miqve të mi, kaploi, duke u hedhur në fasadat e ndërtesave pranë, mbi pemët e shëtitoren çlodhëse buzë liqenit, të cilat janë unifikuar e shpërfaqin bukurinë e tij, ku nuk mungojnë: ndriçimi, gjelbërimi, lulet dekorative, trotuaret, stolat, këndeve të futur në liqen, si gishtrinj të drunjtë, që nuk kanë gjë më pak se Lungomare e Vlorës, uji që llokoçitet lehtë, por edhe popullimi i zërave gazmorë të rinjve që e vozitnin me kajak. Është një bukuri që të bën të mos ndahesh lehtë prej saj, kur prek çdo detaj, duke të përcjellë e krijuar një simbiozë të këndshme në shpirt. Buzë liqenit ka përfunduar një rrugë e bukur, në të cilin buisnin plot jetë filiza të rinj drurësh. Por, përveç kësaj, kureshtja për këtë qytezë piktoreske të sjell në mendje dëshirën e rilindasit Sami Frashëri 100 e ca vite më parë, që këtu në Belsh, të ndërtohej kryeqyteti i Shqipërisë së re. Për nder të tij, është ngritur një bust, ashtu si i ka hije.
Takim me historinë
Të parin që takojmë në Belsh është mjeku, Shefqet Hysa. Natyralizohemi aq shpejt në bisedën e e vyer me të, me fragmentet historike dhe virtytet, sa të duket se e ke njohur prej kohësh. Ai, si një historian skurpuloz i Dumresë është radhitur në anën e duhur të historisë, duke gërmuar për të kaluarën për të shkundur kujtesën e rindërtuar themelet e saj, me të dhëna të rëndësishme. Ne e shuajmë kureshtjen për Belshin dhe Dumrenë, duke e pyetur për gjithçka.
- E shihni atë kodrën atje tej, ku shfaqet si një bedenë e vërtetë kështjelle prej 8 ha- të thotë Shefqeti? - Është Gradishta (239 m). Dikur në lashtësi, në lartësinë e saj shtrihej një qytezë ilire, e cila fsheh thesare të çmuara. Por ajo që bie në sy ndër gjetjet këtu, është statuja e princit ilir Belsoni, nga i cili ka marrë edhe emrin qyteza e Belshit. Këtu kanë jetuar Parthinët, një nga fiset kryesore Ilire. Sipas arkeologut Neritan Ceka, ajo i përket periudhës së vonë të Bronzit deri në shekullin e IV-VI të Erës së Re dhe duke qenë në afërsi të rrugës Egnatia, qyteza ka pasur një zhvillim në këto shekuj.
E ndërkohë ai nisi ta pasurojë rrëfimin për Dumrenë me të tjera fakte nga shumatorja e ngjarjeve, të lartësuara nga kontribute, nga rrëfenjat, këngët, reliket …
- Eh, sa do të flasë koha që do të vijë, - thotë Shefqeti, për Dumrenë e ngjarjet e ndodhura. Çartallozi i Dumresë ka qënë vilajet në shekujt XV. Dumreasit mbledhin firmat e kryepleqve për largimin e bejlerëve dhe hapjen e një shkolle në fund të shekullit të XVIII. Interesant është betimi i burrave të Dumresë në 1910 për të larguar Sulltanin. Intriguese janë historitë tragjike të fisit Gjoni në Rrasë, por edhe legjenda e Sinanëve në Gradishtë. Është e njohur rezistenca e dumreasve pas vitit 1912, nga dyndja e ushtrive pushtuese që vendosën fatin e popullsisë së saj në tehun e mbijetesës, patriotizmi i Sul Zdravës, Hasan Hysës, Abaz Balit, që rrëmbyen dyfekët për t’i penguar serbët, në mars 1913,që bënë krime mbi gratë, fëmijët, duke djegur shtëpi, plaçkitur bagëti e vrarë në Allajbeg 85 burra të saj. Nuk harrohen, krizat e thatësirës që sollën shkatërrimin e prodhimeve bujqësore në vitet 1915- 1917, vdekjet nga gripi spanjoll në vitin 1918 e vrasjet nga fashistët në maj 1939.
Nacionalistët e Dumresë që spikatën me krenari: Xhaf Bali, Demo Tafani, Sul Hidri, etj, të cilët shpëtuan Dumrenë nga djegia, pushteti komunist u poshtëroi burrërinë, duke i vrarë, burgosur e persekutuar familjet, për të mbjellë në çdo vatër shtypje e nënshtrim, por e madhe pjesëmarrja në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit, krijimi i çetës së parë partizane në Shalës, në dhjetor 1942, internimi në kampet naziste të Seit Uruçit dhe Musa Zekthit. Pas vitit 1945 nuk munguan ndryshimet rrënjësore dhe kontributet e burrave dumreas, që ndonëse drejtuan nën trysni, janë vlersuar për ndershmërinë dhe përpjekjet për mirëqënien e Dumresë, dija dhe kultura e Sulejman Pepës, Sadik Dervishit, Fetah Elezit, Haki Kullollit, etj. Dumreasit dijnë të gëzojnë ndaj nuk mund të lihet pa përmendur tradita e mikpritjes, bujarisë dhe gëzimit ndaj mikut. Kohët i kanë dhënë shkëlqim të ri kësaj treve, që e ndjen edhe sot, shpirtin e bukur të tyre mbi të gjitha dashamirësinë, si dikur gjyshërit. Këtë e treguan edhe në ditët e rënda të Luftë së Dytë Botërore, kur familja e Zenajve strehoi në ditët eftohta të nëntorit 1944 ekuipazhin e avionit amerikan, plot me 27 doktorë dhe infermierë, të nisur nga qendra e aleatëve në Kajro të Egjiptit, që teksa fluturonte nëpër qiellin shqiptar u godit prej kundraajrorëve gjermanë e si një zog i plagosur u ul në Çestije.
Dumrea, magji shekullore por… (edhe, dikur) vend i të internuarëve
Natyra në Dumre është gjithçka. Ajo ka bërë më të mirën, por që shfrytëzohej edhe për të keqen, duke e mpleksur të bukurën me të shëmtuarën. Nga ç’ka mbetur pllajës së zhveshur mund të gjykosh se Dumreja dikur ishte një hapësirë e mbushur me vendbanime, pyje e liqene si parajsë. Kjo është shprehur edhe në emërtimet e trashëguara ndër breza si: Qyteza, Çestie, Kajan, Gjolenë, Trojas, Rrasë, Lisaj, Dushk, Fierzë, Trelisaj, Çartalloz, Lenike, Shkozë, Hardhishtë, Shalës, Qafë-Shkallë, Guras, etj, toponime që dëshmojnë lashtësi me gjetjet, të cilat shfaqen gjatë punimeve bujqësore e hapje themele shtëpish, në ujërat e liqeneve, me historinë dhe tregimet popullore. Të moshuarit kujtojnë se trungjet e drurëve mezi i rrethonin dy-tre vetë të kapur për dore me gjelbërim të dendur sa në mes të ditës, nuk depërtonte rrezja e diellit; me një freski të veçantë e simfoni cicërimash të shpendëve, duke u kthyer kësisoj si vende të preferuara për gjuetarët. Besim Kuqja nga Shalsi, të tregon për gjuetarët nga Tirana, Elbasani e Berati, të cilët gjenin këtu, jo vetëm rosa, turtuj, lepuj e peshk, por edhe mikpritjen e banorëve. Në kohën e mbretërisë së Zogut pati njerëz që u shquan në Dumre, me guximin, pasionet dhe rebelizmin e tyre. Është e përmendur Dumrea për të kaluarën plot mistere të Hamit Matjanit, ku historitë gojore janë tepër terrorizuese të tij dhe kudo ku shkelte krijonte frikë me agresivitetin e dëmet ndër banorët.
Por, do të vinin vitet ’50, që e vranë peizazhin dhe qetësinë shekullore të Dumresë. E shpyllëzuan nën parullën enveriane: “T’u qepemi kodrave e maleve, t’i bëjmë ato pjellore si fushat”, nga traktoristët që ishin në garë kush të shkulte sa më shumë lisa shumëvjeçarë për ta kthyer në tokë bujqësore, duke e bërë hambar gruri, misri, luledielli e duhani, i cili ishte monopoli i shtetit. Në këtë evolucion, politikat e shtetit në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar e populluan Dumrenë me banorë nga krahinat e Sulovës, Vërçës, Tomorricës, Shpatit, të cilët treguan vlerat e tyre: të fisnikërisë, kulturës, punës, duke krijuar marrëdhënie miqësore, por prunë edhe ndryshime sociale në jetën shoqërore. Reformat si kudo në Shqipëri i kthyen banorët në robër të këtij sistemi, me pronë që ishte e të gjithëve dhe e askujt, e kalvare peripecish që bënë të veten në vështirësitë ekonomike të saj.
Kohët e regjimet kanë sjellë edhe ngjarje të trishtueshme për banorët e Dumresë, të cilët, për të ecur përpara, nuk harrojnë të kthejnë kokën mbrapa për t’i kujtuar ato. Drejt perspektivës dhe zhvillimit, përkundër ndryshimeve, që nga rrugët, kushtet e jetesës, si gjithandej Shqipërisë socialiste, Dumresë iu mboll një ngushëllim kolektiv. Qyteza e Belshit, por edhe vendbanimet e Dushkut, Xheries, Dragotit, Kajanit, Kosovës së Madhe ndër vite u shndërruan në vende persekutimi, të përmbledhur nën termin famëkeq “Armiq të Partisë dhe Pushtetit Popullor”.
- Nëse do të ndërtoj një peizazh kohor, - tregon Shpëtim Miraka, - do më duhej të fusja tërë përmasat e dhimbjes për këta të dënuar, që do të linin rininë, ëndrrat dhe do e nis nga dërgimi i tyre këtu natën, të hipur në kamiona pa u dhënë asnjë shpjegim, për t`i strehuar në stalla dhe magazina, për t`i stërmunduar në punë të rënda e kushte mizrabël jetese që të kujtojnë mesjetën. Ata dhe të tjerë që regjimi i dërgonte për ‘’riedukim’’, kaluan këtu vite të tëra mes të ftohtit e baltës, duke e ngrohur shpirtin me diellin e saj.Pa harruar gjithçka që kishte lidhje me ta, mbikqyrjen e tyre, përndjekjet dhe trajtimet.
Në këtë mjerim bashkëkohor të pandreqshëm nga “njerka” histori shqiptare, banorët e Dumresë, të lyer me djersën e mundit dhe racionin e varfër të sofrës së tyre, i trajtuan me dashuri, edhe pse si çekiç në kokë për të vendosur mbretërinë e frikës qëndronin operativët e sekretarët e partisë, dallkaukë e të parsimuar, barkëdalë e fytyra bullafiqe, që i ngjiti në krye pushteti (emra që s’po i përmend, të bien kështu në pluhurin e harresës), të cilët çdo fjalë e lidhnin me mësimet e Partisë së Punës, që të zhytur në botën e veseve, duke harruar të krijonin mirëqenie, me një gardh ordiner rreth tyre shënjestronin pjesën me kapacitete intelektuale, për të intriguar si nata, dënime të padrejta. Kjo kohë e mbushur me kujtesa të hidhura bën që sot edhe ne të ndjejmë dhimbje të pallogaritshme, duke tharë infeksionin e plagëve të zymta. Demokracia aq e dëshiruar erdhi edhe në Dumre, me anarshi, me shkatërrime, me militantizëm ekstrem dhe përftime të një grupi njerëzish nën hijen e politikës, e cila bëri që nga shiu të bien në breshër. Dhe si gjithë Shqipëria, Dumrea u përpëlit në hapat kapitaliste, e braktisur nga djemtë që kërkonin botën e zhvilluar duke zbrazuar fshatrat.
Jetë që buis mes kaltërsisë e gjelbërimit
Liqenet e Dumresë përbëjnë një veçanti. Gjatë kohërave, fenomenet e shndërruan këtu tokën në gropa karstike, të cilat u mbushën me ujë. Moria e tyre si: Liqeni i Belshit, Dega, Paraska, Miloshi, Gjoli i Bushit, Merhoja, Liqeni i Kuq, Liqeni i Marinzës, Liqeni i Afërditës, Liqeni i Zi, Gurazi, Çestija, Goda, Gjolaurja, Çërraga, Çartallozi, etj. (Dumrea është e gjitha 640 ha, me aftësi ujëmbajtëse 26 milion m3 ujë), të shfaqen mes hapësirave të gjelbërta, ku mpleksja e rrezeve të diellit dhe retë prarojnë pasqyrat e tyre ujore. Në stinën e pranverës një pjesë e tyre lulëzojnë nga zambakë, duke krijuar kështu një peizazh të pakrahasueshëm me asgjë tjetër, që njihen si “lëkoi i bardhë” e “lëkoi i verdhë” dhe popullohen nga rosa, pulbardha e dhjetëra shpendë.
Pa e shuar entuziazmin e pushimit të këndshëm në Belësh, buzë liqenit të Afërditës takojmë Petrit Pajën. Pas përshëndetjeve, Petriti të orienton nëpër labirinte tregimesh, sepse këto bukuri janë kthyer në mite. E tillë është edhe kjo që ai e tregon. “Në thellësitë e kristalta të liqenit dikur jetonte një zanë e bukur, që syri njerëzor rrallë e kishte parë, të shfaqej si perëndeshë dielli, me flokët e arta, të cilat i ndrisnin teksa binin deri poshtë gjunjëve të rrumbullakët të saj. Fytyra dhe shtati i saj ishte aq të magjishme, saqë i bënin banorët t’i blatonin me dhurata, duke hedhur në liqen terrakota sipas zakonit të lashtë”. Ajo ishte vetë perëndesha e bukurisë, Afërdita Ilire, që edhe burimet antike e përmendnin. Skulptori nga Dumrea, Fiqiri Kasa i ka kushtuar një statujë buzë liqenit, të bardhë e të freskët dhe plot elegancë, si një manifestim i së bukurës, që do t'i bënte nder çdo sheshi të qyteteve tona.
Ecim dhe vështrojmë vendbanimet rrëzë liqeneve, të shkrirë me natyrën që reflekton, rrugët, gjelbërimin dhe gjithçka që lidhet me zhvillimet e jetën, ku spikat dora punëtore, e ndërthurur me gjetjet e reja, duke përbërë të ardhura për banorët, të cilët e shohin me optimizëm për të zhvilluar turizmin. Aty- këtu restorante e bujtina të bukura.
Kalojmë Klubin e Gjuetarëve që mblidhte dikur të apasionuarit e gjuetisë së kafshëve dhe shpendëve të egra, por edhe vizitorë të shumtë. Afër saj një ndërtesë e re ka zëvëndësuar të vjetrën, me kushte të mira. Në Grekan, aty pranë udhës në një radhë shtëpish të reja zbritëm sërish sa për një pushim të shkurtër. Gjatë bisedës me Bashkim Çekrezin ne mësojmë për përpjekjet e banorëve, duke jetuar me djersë në kultivimin e gjithfarë bimësh. Familja e Bashkimit prej vitesh ka mbjellë Paulonjën, një dru i veçantë për mobilerinë me origjinë nga Kina, që në Dumrenë me klimë mesdhetare u përshtat, sa për dy vjet i kanë kaluar mbi 3 m. Mbjellja e saj nuk ishtë e lehtë, duke luftuar mentalitetin e kultivimit, po duke ditur leverdinë ekonomike që kuotohet në bursë, i kaloi këto paragjykime me guximin e mundshëm. Me sytë mbërthyer pamjeve, ne ecim më tej, në rrugën gjarpëruese që zgjatet drejt Kuçovës.
Sa më shumë që ecën aq më interesante janë pamjet, misteret dhe resurset e pa fundme të Dumresë. Të përhumbur në krahët e kënaqësisë sytë humbasin në detajet e skalitura natyrore, që i japin jetë asaj. Herë pas here bëjmë ndalesa për të soditur pyllin, me aromën e tij freskonjëse, cicërimat e shpendëve dhe qetësinë e vendeve. Pakujdesia e banorëve dhe amullia e realitetit në pragun e viteve ’90, bëri që pylli i harlisur, me lisat që prekin qiellin,të degradohej dhimbshëm, duke u prerë e djegur. Dhe ashtu siç ndodh kur rrufeja zhurit deri në rrënjë një lis shekullor do të ishin vetë banorët, të cilët e ripërtërinë, për t’i kthyer magjinë e gjelbërimit, flladin dhe këngën e zogjve, të cilat ngjajnë si fragmente të një poeme lirike.
Duke marrë rrugën nga kishim ardhur, Dëshirani me grushte shtëpish të bardha, si dantellat e nuseve vendase, i rrethuar nga kodrat e qendisura bukur, të mrekullon aq shumë.
* * *
Të shkruash për Dumrenë, është kënaqësi, por edhe një gjë jo e lehtë. Sepse s’mund t’i përmbledhësh të gjitha përshtypjet, sado të ngjyrosura me thellësinë e shpirtit. Në liqenet e panumërt të Dumresë, pyjet, kodrat me gjurmët e tyre të lashta, historinë e burrave shpirtbardhë, kam ecur që në fëmijëri, ndërsa sot është krejt ndryshe. Ndaj më bren dëshira për t`u rikthyer shpesh aty, duke zgjatur rrugën e kujtimeve, me më shumë korsi, me më shumë sy, me më shumë dëshira, por edhe me më shumë fjalë, kaltërsi e gjelbërim.
Lexova dicka interesante per Dumrene, jo vetem pershkuese per vlerat turistike te saj, por edhe te rrjedhes se fakteve per ngjarjet aty, tw shkruar me aq vertetesi sa cdo harrese nga historiane kafenesh rreth ketyre fakteve meriton ti injorosh ata.
PërgjigjuNe se do te vendosesh qe ne Dumre te trasferohesh kryeqyteti,,do te behesh kryeqyteti me i bukur,jo vetem ne ballkan ,por edhe me gjere!! I njoh ato vende magjike,ato kodra aq piktoreske,liqenet qe nuk i gjen askund te vendosura ne nje terren rrafshnalte,ato fusha plot larmi konfiguracioni ...Do te ishte nje mrekulli! Aty ja vlen te ngrihet turizem elitar,do ishte shume fitimprures.Natyra plus prodhimet bio,dhe jo shume larg Elbasani,Lushnja,Berati,Liqeni i Hidrocentralit te Banjes,Cerriku,jo shume larg Tirana ,durresi dhe me tej Korca...Nje mrekulli tamam ne kerthizen e Shqiperise!
Përgjigju