DURRES- Një tjetër sasi hashashi është kapur në pikën e tranzitit në Portin e Durrësit. Policia e Portit të Durrësit ka sekuestruar mbrëmjen e djeshme rreth 35 kilogramë lëndë narkotike, të llojit kanabis.

Policia ka mundur ta sekuestrojë drogën në mjetin e shtetasit Shpendi Lika, 25-vjec, si dhe ka ndaluar të riun në fjalë. Bëhet fjalë për një makinë tip 'Ford Fiesta' me targa CV 689 Ë që vinte nga Peshkopia. Policia sqaron se droga e kapur kishte si destinacion shtetin fqinj, Italinë. Mësohet se lënda narkotike është zbuluar pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar ndaj automjetit që drejtonte i riu nga Peshkopia, ndërsa qentë antidrogë kanë nuhatur ngarkesën dhe kanë dhënë alarmin të parët.

 Më pas kontrolli në pjesën e shasisë dhe fundore të mjetit ka zbuluar edhe ngarkesën me 35 kilogramë kanabis e cila ishte e ndarë në dy sasi të ndryshme, 15 dhe 20 kilogramë. Ky është rasti i pestë në 30 ditët e fundit ku policia e portit në Durrës bën sekuestrim kanabisi, ndërsa në të gjitha rastet transportuesit janë arrestuar në flagrancë.

(sg/shqiptarja.com)