DURRËS -  Teksa u mbushën 4 ditë nga vrasja e një 15-vjeçari me thikë në zemër pas një zënke për video-lojëra në një pikë interneti kanë reaguar të rinjtë e shkollave të mesme në Durrës. “Bashkohu dhe ti, t’i themi jo dhunës”. Ka qenë ky slogani i një manifestimi të organizuar me nxënësit e shkollave për t’i thënë stop dhunës dhe kriminalitetit në shoqëri përgjatë bulevardit kryesor deri tek sheshi para Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Aktiviteti erdhi falë një projekti suedez për familjarizimin e policisë në komunitet dhe përmirësimin e aftësive të Policisë Shtetit në sigurimin e rendit.
Një nga të rinjtë është shprehur se “shpresojmë të përmirësojmë marrëdhëniet mes komunitetit dhe policisë në Shqipëri. Ky partneritet mund të bëhet shumë mire dhe nga gjithë aktorët lokalë po marrim mbështetje shumë të mirë. Ato vijnë me ide shumë interesante dhe të mëdha siç ishte ky manifestim.

Shpresojmë të bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë dhe më të sigurt për të jetuar. Projekte të tilla janë të suksesshme, sepse janë banorët lokalë ato që i kuptojnë nevojat e tyre, se sa ndërkombëtarët, ndaj jam shume krenar që jam pjesë e këtyre projekteve”.

Projektit “Bashkohu dhe ti, t’i themi jo dhunës”, zbatuar në 3 nga shkollat e mesme të qytetit të Durrësit; “Benardina Qerraxhia”, “Leonik Tomeo” dhe “Hysen Çela”, pati si synim informimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi dhunën dhe pasojat tek të rinjtë.


Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)