Një automjet tip 'Benz' me targa AA 060 SP ka përplasur nga mbrapa një taksi me targa me targa DR 475 TX, ku kanë ngelur të vdekur shoferi i taksisë Bujar Agalliu, 60 vjeç, me banim në Durrës, dhe pasagjerja shtetasja Elena Avdillari, 23 vjeçe, banuese në Tiranë, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi Fatjon Zhaporja, nga Tropoja, i cili ka qenë duke drejtuar mjetin tip 'Benz'.
Report Tv mësoi se vajza e re ishte nisur drejt Italisë, ndërsa policia në Portin e Durrësit nuk e lejuar të udhëtojë me traget në drejtim të Italisë. Nuk dihen arsyet e këtij vendimi të policisë portuale. E reja kishte planifikuar të udhëtonte me një grup pasagjerësh me autobus, i cili do embarkohej në traget në Portin e Durrësit për në Itali. Në portofolin e 23-vjeçares është gjetur dhe bileta e tragetit që ajo kishte prerë, si dhe 600 euro në kuletë.
Goditja dyshohet e qëllimshme?
Burime nga Policia e Durrësit nuk përjashtojnë mundësinë që goditja nga 'Benz-i' të ketë qenë e qëllimshme. Gjatë përplasjes taksia ka devijuar dhe është futur në një pikë karburanti që ndodhej aty pranë. Në mjetin tip 'Benz' nuk është gjetur asnjë person. Report Tv mësoi se mjeti drejtohej nga 34-vjeçari Zhaporja, ndërsa dyshohet se ka pasur dhe një pasagjer. Policia vijon hetimet për të zbuluar shkaqet e ngjarjes së rëndë.
[gallery]25626[/gallery]
Prokuroria: Taksia ishte në korsinë e shpejtësisë,'Benzi' bëri sinjal t'i hapej rruga
Prokuroria e Durrësit ka dhënë detajet e para nga aksidenti tragjik, ku thuhet se taksia ndodhej në korsinë e shpejtësisë. Nga informacionet e Prokurorisë bëhet e ditur se ‘Benzi’ ka bërë sinjal t’i hapej rruga, por taksisti ka hapur pak krahun, duke menduar se mjetin e merrte rruga, por ky i fundit e ka përplasur nga mbrapa.
Përplasja ka qenë e fuqishme dhe ka bërë që taksia të bëjë rrotullim në vend e më pas të dalë nga rruga e të përplaset, duke iu marrë jetën taksistit dhe të resë, që ndodheshin në mjet. 
Viktima Bujar Agalliu, drejtuesi i taksisë
Viktima, pasagjerja e taksisë Elena Avdillari
Detajet, autori fshihet në zonën mes Fushë Krujës dhe Laçit
Udhëtimi që duhet të përfundonte me destinacion Italinë, ka përfunduar me destinacion varrezat. Më tragjike nga kjo situatë është fakti se nuk i është dhënë ndihma e parë nga autori i aksidentit, i cili është larguar menjëherë. Policia po heton për një vrasje, pasi viktimat janë dy të pafajshëm, që janë goditur nga pas.
Nuk dihet ende nëse Fatjon Zhaporja, nga Tropoja, kanë pasur ndonjë njohje mes tyre. Gjithashtu, nuk dihen dhe arsyet pse tropojani është larguar menjëherë nga vendngjarja, dhe kjo përbën një vepër penale. Dyshohet që autori është fshehur në zonën mes Fushë Krujës dhe Laçit.

Benzi që shkaktoi aksidentin
Njoftimi i policisë:
Durrës
Më datë 21.02.2018, rreth orës 23:30, në autostradën Durrës-Tiranë, pa shkuar në Maminas një mjet tip Benz me targa AA 060 SP është përplasur me mjetin Taksi me targa DR 475 TX.
Për pasojë kanë ndërruar jetë drejtuesi i mjetit tip Taksi B.A.60 vjeç, banues në Durrës dhe pasagjerja, shtetësia E.A. 23 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga veprimet paraprake dyshohet se mjeti tip Benz e ka përplasur nga mbrapa mjetin tip Taksi dhe kjo e fundit për të devijuar është futur në një karburant.
Në mjetin tip Benz nuk është gjetur asnjë shtetas. Në vendngjarje ndodhen Efektivet e Policisë, të cilët po punojnë për gjetjen e drejtuesit të mjetit tip Benz dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Redaksia Online
A.D. d.c/shqiptarja.com

VIDEO









