Shtatë muaj më parë, (në maj) vogëlushja kishte përjetuar lëkundjet e tërmetit të fortë që tronditi Italinë Veriore dhe shkaktoi të paktën 15 të vdekur, dhjetra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale.
“E ruajti zoti, ka bërë mrekulli, mbas tërmetit që kaloi në Itali, kjo është hera e dytë që Zoti po i jep jetën...Vajzën e mora në mesin e majit dhe e mbajta 1 muaj e gjysmë që i bëra dokumentet dhe e solla në mesin e qershorit, atje ndodhi tërmeti dhe e solla tek e ëma që të merrte veten...”- tregoi Alban Qiriçi, i ati i vogëlushes, në një intervistë ekskluzive për emisionin ”Urbanika” të gazetares Mirjeta Ngjela, transmetuar dje në Tv A1 Report .
Që prej 3 nëntorit, Albani është kthyer nga Italia ku jeton, dhe po kujdeset për të voglën e tij e cila ndodhet në spital. Pas aktit të vetëflijimit, në rrethana të mistershme, të së ëmës, Eloni Qiriçi, e cila sipas policisë u hodh nga kati i katërt i një pallati në lagjen nr 16-të të Durrësit, së bashku me vajzën e saj, Albani qëndron në spital dhe tashmë i duhet të marrë një vendim për të ardhmen e vajzës së tij të mbetur pa nënë. “Më vjen keq për atë që ndodhi por unë do shikoj jetën dhe të ardhmen e vajzës time”- tregon më tej Albani gjatë intervistës, të cilën e dha pikërisht nga spitali ku ndodhet e shtruar 6 vjeçarja.
(ne foto Alban Qiriçi me vajzën 6 - vjeçare)
Ai tregon dhe sesi kishte mësuar për ngjarjen e rëndë. “Ngjarjen e mora vesh nga disa familjarë të mi, sepse unë isha në punë. Familjarët e mi në Shqipëri më morën në telefon. Fillimisht mora vesh muhabetin e të madhes pastaj të vajzës...Të nesërmen jam nisur nga Bolonia në orën 9, erdha direkt në spital të marr vesh për shëndetin e vajzës"
(në foto vajza 6-vjeçare në spital pas rrëzimit nga kati i 4-t i Pallatit)
(Në foto: Elona Dhaskali Qiriçi me vajzën 6-vjeçare)
Çifti ishte divorcuar megjithatë kishin kontakte të rregullta për hir të vajzës. “Unë i kam respektuar të gjithë, atë si fillim se ka qenë nëna e vajzës, prindërit, motrat. Ajo me mua ka qenë e pastër, normale, gjithë muhabetet i kemi bërë njerëzore, ma dha vajzën me mirëbesim ia solla para afatit, jam treguar korrekt me pagesën e vajzës, ia kam sjellë çdo muaj, ka pasur nevojë për rroba dhe ilaçe dhe ia kam plotësuar”- tregoi Albani.
NGJARJA ME 2 NENTOR
Elona Qiriçi, 31 vjeçe së bashku me vajzën e saj 6 vjeçe ranë nga kati i katërt i një pallati pranë shkollës “Adem Reka”, në lagjen nr 16-të, në qytetin e Durrësit. Ngjarja u shënua rreth orës 08: 30 minuta të mëngjesit. Të dyja u dërguan menjëherë në spital, por e ëma nuk arriti të mbijetonte, ndërsa vajza pësoi fraktura. Kanë mbetur të mistershme rrethanat si mund të kenë precipituar në hedhjen e Elonës e vajzës së saj nga kati i katërt i pallatit. Atë mëngjes Elona kishte dalë nga banesa për të dërguar vajzën e saj në kopsht. Mendohet se afër këtij pallati fëmija është grindur me të ëmën pasi refuzonte të shkonte në kopsht sepse nuk ndihej mirë. Nuk dihet se përse apo sesi mund të kenë hyrë në pallat, por dëshmitarë thonë se në katin e katërt gruaja ka hedhur vajzën dhe më pas është hedhur dhe vetë. Sipas policisë Elona ishte divorcuar prej 5 vitesh dhe vuante nga çrregullime mendore dhe ishte trajtuar për këto probleme.
(Foto: Kati nga ku u hodh 31 vjeçarja së bashku me vajzën)
(sg/shqiptarja.com)