Këngëtari i mirënjohur italian Pino Daniele është përkujtuar mbrëmjen e kaluar në Durrës. Foto: Gezim Kabashi
DURRËS, 28 Shkurt /ATSH-Gëzim Kabashi/ -Këngëtari i mirënjohur italian Pino Daniele është përkujtuar mbrëmjen e kaluar në Durrës, gjatë një koncerti të organizuar nga artistë shqiptarë dhe italianë. Këngëtari napoletan Mario Maglione dhe këngëtarja durrsake, Luljeta Strefi kënduan së bashku "Napule e'", këngën hymn të Pino Danieles, i cili u nda nga jeta më 4 janar të këtij viti.
Spektakli "Rikthimi", që mblodhi në teatrin "Aleksandër Moisiu" dhjetra artdashës u organizua nga nga shoqata italo-shqiptare "New umor sound" në bashkëpunim me shkollën e mesme artistike "Jan Kukuzeli" të Durrësit dhe grupin e baletit të koreografit Arjan Plaku.
Në qendër të koncertit ishte këngëtari i shquar napoletan Mario Maglione, i cili në tetor të vitit të kaluar u nderua nga bashkia e Durrësit me titullin "Fisnikëria e qytetit". Maglione u duartrokit gjatë nga të pranishmit për zërin melodioz dhe teknikën e lartë të të kënduarit. Ai solli një buqetë me këngë nga qyteti i tij i lindjes dhe vlerësoi së tepërmi bashkëpunimin me orkestrën e shkollës artistike "Jan Kukuzeli" me dirigjent Orges Mema.
Këngëtari i mirënjohur italian Pino Daniele është përkujtuar mbrëmjen e kaluar në Durrës. Foto: Gezim Kabashi
Këngëtarja Luljeta Strefi u paraqit më së miri me një potpuri këngësh shqiptare e më pas këndoi edhe dy këngë të njohura nga repertori italian i muzikës së lehtë. Balerinët e rinj të drejtuar nga koreografi Arjan Plaku sollën në skenë një grup vallesh nga treva të ndryshme të vendit tonë.
Gjatë spektaklit që u drejtua me mjeshtëri nga artisti italian Giuseppe Palumbo u lexua edhe letra me të cilën kryetari i bashkisë së Napolit, Luigi de Magistris, u uron organizatorëve "suksese për këtë manifestim - homazh për artin, kulturën dhe traditën e qytetit të Napolit". Koncerti u ndoq edhe nga drejtues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të ambasadës së Italisë në Tiranë. /gj.m/f.n/












