Bllokimi i aksit rrugor Ura e Shkozetit-Plepa për këmbësorët është bërë sërish shkak që banorët e lagjes 13 në Durrës të dalin në protesta. Semafori që shërbente që banorët që të kalonin nga njëri krah i rrugës në tjetrin u prish dhe për të evituar aksidentet, Drejtoria e Rrugëve vendosi disa blloqe betoni. Në këto kushte, banorët por edhe drejtuesit e automjeteve duhet të udhëtojnë rreth një km për të kaluar në krahun tjetër të rrugës. Ata kërkojnë rivendosjen e semaforit ose të një mbikalimi.
Një nga banoret e zonës u shpreh se në 3 vite në këtë vend kanë vdekur 10 persona nga aksidentet. "Mbi 10 aksidente, unë që flas jam përplasur dhe më ka thyer brinjët makina. Në kalojmë cdo ditë jemi të detyruar sa herë kalojmë shëndoshë e mirë themi shyqyr si shpëtuam edhe këtë radhë. Dy herë në ditë kalojmë kemi shumë frikë, mirë ne por kemi dhe kalamajtë. Djalin tim para dy vitesh e ka marrë makina zvarrë, shyqyr risku i Zotit, shpëtoi me fraktura të mëdha në kokë e në trup.
Të paktën ose ura ose semafori të vendosen, janë mbi një mijë banorë, të gjithë prindërit me tmerr i kalojnë fëmijët. Kur i mbledhin në darkë thonë shyqyr o Zot që i mblodhëm shëndosh e mirë. Këtu kanë vdekur 10 persona nga aksidentet, kërkojmë ndërhyrjen e shtetit të vendoset semafori ose një mbikalim". Banorët kërcënojnë me përshkallëzim protestash nëse propozimet e tyre nuk merren parasysh nga Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës.