Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar mbrëmjen e sotme në derën e jashtme të shtëpisë së kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës në Durrës. Ngjarja u regjistrua rreth orës 22:20, ndërsa bëhet me dije se lënda plasëse ishte në një sasi shumë të vogël, teksa nga shpërthimi janë konstatuar vetëm dëme të vogla materiale.

Nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarje, ndërsa Duka nuk ka qenë në banesë gjatë shpërthimit, por ka mbërritur aty pak minuta më vonë. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit apo autorëve.

Pas ngjarjes ka folur për mediat edhe Armand Duka, i cili u shpreh se i vendosën dinamit te dera e shtëpisë në një kohë kur kishte familjen brenda. Duka tha se kamerat e sigurisë kanë filmuar një person me kapuç që shikohet kur vendos lëndën plasëse. Në vijim të daljeve të tij publike, Duka ka deklaruar një mesazh kërcënues në telefonin e tij ku thuhet se i rrezikohet jeta në rast se nuk do të jepë dorëheqjen për 24 orë.

Lidhur me ngjarjen, policia e qytetit bregdetar ka shoqëruar disa persona pasi dyshohej se kishin dijeni për shpërthiminm, por më pas janë lënë të lirë nga policia. 

FSHF dhe Armand Duka kanë qenë kryefjala e lajmeve ditët e fundit, kjo për shkak të zbulimit të skandaleve të njëpasnjëshme. Duka është akuzuar për manipulimin e zgjedhjeve në FSHF e po ashtu edhe për shpërdorim fondesh. Rasti më i fundit ishte zhdukja e 2.1 mln dollarë nga FIFA për klubet shqiptare, për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia e COVID.

Ndërkohë ditën e sotme, u regjistrua një tjetër skandal, ku u manipuluan zgjedhjet për kreun e Shoqatës së Futbollit Tirana. Përmes 24 votuesve anonimë, që u futën nga Duka, u arrit që të zgjidhej në krye të kësaj shoqate Krenar Alimehmeti, i vetëm në garë pasi kandidati tjetër Eduard Prodani u tërhoq pak pas nisjes së mbledhjes. Në sallë kishte 67 anëtarë nga 40 që duhet të jenë, ku 24 janë persona anonimë të shtuar nga Duka dhe jo delegatë legjitim. Ndërsa vetë Eduard Prodani dhe 18 mbështetësit e tij u larguan pak para fillimit të mbledhjes.

 

Pamje nga vendi i ngjarjes

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:44
Shpërthimi në derën e shtëpisë, Duka kërcënohej me jetë me mesazhe: Për 24 orë jep dorëheqjen ose 60 plumba i ke në kokë

1643068630_Capture.PNG

Durrës- Shpërthimi me lëndë plasëse në shtëpinë e Armand Dukës me sasi e dëme të vogla materiale ka qenë veçse një paralajmërim.
Sipas një deklarate publike, presidentit të FSHF-së i kanë dërguar mesazhe kërcënuese nëse nuk lë postin për 24 orë.

Teksti i mesazhit gjendet në telefonin personal të Armand Dukës, ku ky i fundit kërcënohet me 60 plumba në kokë nëse brenda 24 orëve nuk jep dorëheqjen.

“Ti luan me dy standarde, ti k*rv luan me lekët tona për 24 orë jep dorëheqjen ose 60 plumba i ke në kokë o k*rvë se betimi u bë i pakthyeshëm”., thuhet në mesazhin e dërguar në telefonin e Armand Dukës. 

 

Ora 00:23
Durrës/ Shpërthim me lëndë plasëse në derën e jashtme të shtëpisë së Armand Dukës, pamjet e dëmeve të vogla të shkaktuara

Durrës- Shpërthimi me lëndë plasëse i cili është regjistruar mbrëmjen e sotme në derën e jashtme të shtëpisë së kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës në Durrës ka konstatuar me dëme të vogla materiale.

Report Tv siguron pamje ekskluzive nga porta e jashtme shtëpisë së Armand Dukës në të cilën vërehet një sasi e vogël e lëndës plasëse si dhe dëme të vogla materiale.

Pamje nga vendngjarja

1643066670_WhatsAppImage20220125at00.06.581.jpeg

 

 

Ora 00:08
Shpërthimi në shtëpinë e Dukës, reagon Veliaj: Ai ka bërë gjynahe, por kjo është vepër kriminale

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar për shpërthimin e tritolit në shtëpinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Dukës. Veliaj ka deklaruar se pavarësisht përplasjeve që ka me Dukën, ky i fundit mbetet kundërshtari i tij dhe jo armiku. Ndër të tjera Veliaj shton në MCN se institucionet ligjzbatuese duhet të bëjnë detyrën teksa i bëri thirrje poicisë e prokurorisë të hetojnë mbi ngjarjen dhe të vendosin përpara drejtësisë autorët.

‘Duhet urgjent policia, prokuroria dhe kamerat, të sigurohet jeta e kujtdo, ai është kundërshtari im, jo armiku im. Ai ka bërë shumë gjynahe, por kjo është vepër kriminale e dënueshme. I bëj thirrje policisë, prokurorisë, shërbimit informativ, të gjithë strukturave ligjzbatuese në Shijak apo ku është rasti konkret i zotërisë, t’i sigurojnë jetën, t’i garantojë qetësinë familjare sepse nuk ka lidhje fare shtëpia dhe familja me çfarë bën secili prej nesh në aktivitetin publik. Thirrja ime është që jo vetëm të zbulohen sa më parë, në mënyrë të pamëshirshme me këdo që bën gjeste të tilla’, u shpreh Veliaj

Ora 23:02
Shpërthimi në shtëpinë e Armand Dukës, Basha: Zhvillimet rreth FSHF-së, tregojnë degradimin e pushtetit të korruptuar! Drejtësia të mos qëndrojë duarkryq

1591096256_basha.jpg

Kreu i PD, Lulzim Basha, ka reaguar pas shpërthimit në banesën e kreut të FSHF-së, Armand Duka. Basha shprehet se zhvillimet rreth FSHF-së tregojnë degradimin e një pushteti të korruptuar. Ndër të tjera Basha shprehet se strategjia e tensionit të shpalosur sot, duhet të ndërpritet me urgjencë dhe drejtësia të mos qëndrojë duarkryq.

"Zhvillimet rreth FSHF-së, tregojnë edhe njëherë degradimin e një pushteti të korruptuar që qëllim të vetëm ka zaptimin me çdo mjet, të çdo institucioni. Strategjia e tensionit e shpalosur ditën e sotme, që kulmoi me eksplozivin e vendosur këtë mbrëmje në banesën e familjes Duka duhet të ndërpritet me urgjencë dhe drejtësia të mos qëndrojë duarkryq."-shkruan Basha.

Ora 22:57
Iu vu lëndë plasëse te dera e jashtme e shtëpisë, Duka: Kisha gruan dhe djalin brenda! Kamerat e sigurisë kanë kapur një njeri me kapuç që vë dinamitin

Kreu i FSHF Armand Duka ka reaguar në një deklaratë për mediat pas shpërthimit të tritolit në derën e jashtme të shtëpisë së tij. Duka tha se brenda banesës së tij kanë q2enë bashkëshortja dhe i biri, por fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime. Ai theksoi se kamerat e sigurisë së banesës kanë fiksuar një njeri me kapuç që vendos lëndën plasës te dera.

"Nuk kam mundësi të bëj deklaratë tani. E ka dëgjuar gjithë Durrësi që më kanë vënë dinamit te dera e shtëpisë. Në shtëpi kanë qenë familja, gruaja, djali. Fatmirësisht nuk kanë mbetur të lënduar. Shpërthimi ka qenë shumë i fortë, porta ka dalë jashtë përdorimit. Kemi pamjet e kamerave të sigurisë që tregojnë një njeri me kapuç që afrohet te porta dhe vë dinamitin te mekanizmi ku hapet dhe mbyllet porta", tha Duka.

 

Ora 22:40
Shpërthimi pranë shtëpisë, momenti kur mbërrin Armand Duka, i afrohet i qetë banesës (VIDEO)

Report Tv ka siguruar video të momentit kur kreu i FSHF, Armand Duka mbërrin në banesën e tij, pranë së cilës, vetëm pak minuta më parë, u regjistrua një shpërthim me lëndë plasëse. Sikurse mund të shihet edhe nga video, ai i afrohet i qetë banesës së tij