Investigimi/ Si u zhdukën 2.1 milionë dollarë të FIFA-s për klubet shqiptare (DOKUMENTET)

TIRANË- Miliona nga ndër kombëtarët për klubet shqiptare, federata si pikë transiti dhe parà që pastaj nuk mbërrijnë në destinacion. Për fat të keq, duket si një histori e cila përsëritet në vazhdimësi në vendin tonë, ku fondet e ndërkombëtarëve për klubet shqiptare, çuditërisht, devijojnë apo zhduken rrugës.

Ka ndodhur më parë me fondin e solidaritetit të UEFA-s që kishte destinacion futbollin e moshave dhe duket se historia po përsëritet me fondet që FIFA ka lëvruar për të kaluar krizën që mbërtheu futbollin nga COVID-i në dy vitet e fundit.

MILIONAT NGA FIFA
Që në momentin kur futbolli u ndal në të gjithë botën në mars të vitit 2020, goditja që mori ky sport ishte mjaft e rëndë, pasi klubet humbën të ardhurat direkte e indirekte nga tifozët.

Kështu, FIFA veproi me shpejtësi dhe bëri të ditur se një pjesë e fondeve që ajo lëvronte për federatat, do të kishin si destinacion “shërimin” nga COVID-i të futbollit, duke ndihmuar aktorët e saj që ishin në vështirësi.

Një pjesë e fondeve të projektit “FIFA Forward 2.0” të FIFA-s u lejuan që të ndryshonin destinacion për të ndihmuar komunitetin e futbollit.

Kështu, federatave iu lëvruan në mënyrë të menjëhershme paratë që mbeteshin për të tërhequr nga cikli i këtij projekti, me një pjesë që shkuan si destinacion në planin “e shërimit” nga COVID-i.

FSHF përfitoi 600 mijë dollarë nga cikli 2019-2020, falë kësaj platforme të FIFA-s, fond i cili është tërhequr siç tregojnë bilancet financiare të organizatës ndërkombëtare, të publikuara në maj 2021.

Por jo vetëm kaq. FIFA bëri të ditur se kishte përgatitur një tjetër paketë shpëtimi, prej 1,5 milionë dollarësh, të cilën federatat anëtare mund ta përdornin për të njëjtën arsye.

Nga kjo paketë, 500 mijë dollarë duhet të kishin specifikisht si destinacion futbollin e femrave. Sipas dokumenteve të publikuara nga FIFA në maj 2021, FSHF ka tërhequr deri në dhjetor 2020 shumën 1 milion dollarë nga kjo paketë – përfshirë plotësisht shumën për futbollin e femrave – dhe duhet të tërhiqte edhe 500 mijë dollarë të tjerë nga ajo që është cilësuar nga FIFA si Etapa 3 e planit të shërimit të futbollit nga COVID, përsëri pjesë e projektit “FIFA Forward 2.0”.

Pra, në total, futbolli shqiptar përfitoi nga FIFA 2,1 milionë dollarë për të përballuar krizën e COVID-19, nga të cilat 1,6 milionë të tërhequra brenda vitit 2020 dhe 500 mijë dollarë që i mbeteshin për t’u tërhequr gjatë vitit 2021.

KU KANË PËRFUNDUAR PARATË?
Kjo është pyetja 1-miliondollarëshe ose më saktësisht 2,1-miliondollarëshe që i duhet drejtuar FSHF-së. Kjo e fundit, si përgjigje ndaj krizës së COVID-19, vendosi të jepte “rroga lufte” për disa nga anëtarët e saj.

U caktua një rrogë prej 30 mijë lekësh për futbollistë, trajnerë, gjyqtarë apo edhe zyrtarë klubesh të cilët nuk kishin të ardhura të tjera përveç atyre të siguruara nga futbolli.

Një paketë të cilën presidenti Duka e shpjegoi si të krijuar nga “kontributi i vetë administratës së federatës, kontributi i stafit të ekipit kombëtar, duke filluar nga trajneri i ekipit kombëtar Edi Reja dhe stafi i tij”.

Për dy muajt që u dha kjo paketë financiare, FSHF ka shpenzuar në total 71 milionë lekë, siç konfirmoi zyrtarisht sekretari i përgjithshëm i institucionit, Ilir Shulku, në asamblenë e fundit të përgjithshme në qershor 2021.

Pra, rreth 600-650 mijë dollarë, që nuk justifikojnë kurrsesi të ardhurat e siguruara nga FSHF nga fondet e lëvruara nga FIFA.

Edhe nëse paratë e ndërkombëtarëve do të ishin përdorur për paketën e sipërpërmendur të FSHF-së, diferenca është jashtëzakonisht e madhe dhe ngre përsëri pikëpyetjet e zakonshme rreth mënyrës se si institucioni i futbollit kanalizon sipas dëshirës të ardhurat që siguron nga jashtë me një transparencë zero.

Parà të cilat në të vërtetë kanë destinacion aktorët e futbollit e askënd tjetër.

Abuzimi me fonde të tilla, për më tepër në një periudhë krize të paprecedent, tregon edhe një herë se diçka nuk funksionon siç duhet brenda institucionit të futbollit, pasi historia thjesht përsërit vetveten./PanoramaSport

Faksimile e raportit të FIFA-s ku rezulton se FSHF ka tërhequr 600 mijë USD në vitin 2020 nga programi Forward 2.0 vetëm për COVID-in

Faksimile e raportit të FIFA-s ku rezulton se FSHF ka tërhequr 1 milionë USD në vitin 2020 nga fondi i ndihmës që u është vënë në dispozicion të gjitha federatave për të ndihmuar klubet pas pandemisë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:25
Skandali i FSHF-së me fondin e solidaritetit, investigimi nxori blof federatën

Rreth gjashtë vite më parë, gazeta “Panorama Sport” pati bërë një investigim lidhur me fondin e solidaritetit që ka dhënë UEFA për futbollin e të rinjve në Shqipëri. Në artikullin e publikuar në muajin nëntor të vitit 2016, gazeta sqaroi mënyrën se si është vepruar nga FSHFja me fondet që ka dhëna UEFA për klubet shqiptare që prej vitit 2003.

Gjashtë vite më parë, ishte vetë institucioni i futbollit që njoftoi klubet se si mund të përfitonin të ardhurat nëpërmjet projekteve që do të dorëzonin. Në fakt, një shpjegim të tillë FSHF-ja duhet ta kishte bërë që në 2003-shin, kur UEFA filloi të kalonte rregullisht në arkat e FSHF-së shuma të konsiderueshme për klubet tona.

Këto shuma, të cilat jepeshin si fond solidariteti nga të ardhurat e Ligës së Kampioneve, duhet të shpërndaheshin në të njëjtën mënyrë, për të rritur sadopak nivelin e futbollit të fëmijëve. Sipas raporteve vjetore financiare në faqen zyrtare të UEFA-s, në vitin 2003 qeveria e futbollit vendosi për herë të parë që çdo kampionat elitar do të përfitonte minimumi 176 mijë euro në vit për t’ua kaluar klubeve.

Në vazhdim, kjo shifër është rritur në mënyrë të ndjeshme për të arritur deri në ditët kur Kategoria Superiore përfiton mbi 500 mijë euro çdo edicion. Raportet financiare dhe dokumentet e UEFA-s tregojnë qartësisht se, që nga sezoni 2001-2002, në arkat e FSHF-së kanë kaluar 1.142.100 franga zvicerane dhe 2.986.489 euro, të cilat kanë pasur si destinacion vetëm klubet shqiptare dhe investimet në futbollin e moshave (kjo llogaritje bëhet duke iu referuar vitit 2016, kur edhe është bërë investigimi).

Fondet janë kaluar në FSHF dhe kjo e fundit ka pasur në dorë çdo vit shpërndarjen në klubet përfituese. Por, si është realiteti? Mjafton të shkosh në fundjavë pranë fushave ku luajnë akademitë e klubeve elitare shqiptare për të kuptuar se rreth 4 milionë euro, që kanë vërshuar në vitet 2003-2016, nuk kanë mbërritur në destinacion./PanoramaSport

B.K./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 21/01/2022 03:02

    Po FSHF a nuk varet nga min.e sporteve,a nuk duhej te kontrollohej nga KLSH? Duket qe Duka ben si do, se e ka kuptuar qe shteti merret me hajdutet e tenderave dhe me trafikantet e vrasesit,se sa per futbollin mjaftohet me ndonje stadium e ndonje shperblim fitoreje,pastaj sec ndodh me financat dhe me menyren si zgjidhen sulltanet e saj,e trajton sikur FSHF eshte republike autonome brenda shtetit.Rama hodhi nje gjysem fjale me gjysem zeri para ca ditesh dhe vetem kaq,gjithecka u harrua brenda 12 oreve.Ketu kemi te bejme me nje mungese vullneti nga ana e shtetit per te hetuar FSHF.

    Përgjigju
  • RAZEM: 20/01/2022 14:35

    Hajnat ne FSHF kan me dale sheshit mas shum vjetsh,masi edhe ata nuk bajn perjashtim me hajnat politikan.Por un menoj qe fajin e ka UEFA dhe FIFA perse mos me i njek lekt e tyne qe vine per Shqipni ku shkojn,ku harxhohen me dit ca bahen me kerku fattura ose me dergu nej kontroll!!

    Përgjigju
    • Xhabijej: 21/01/2022 10:10

      Sepse marrin edhe ata te Fifa/Uefas dromcat e tyne nga ne.

  • gagaci: 20/01/2022 13:19

    normal se shqiperia eshte vend ku pastrohen parate ????

    Përgjigju
    • Salah: 20/01/2022 19:43

      ARMANDO, Agron Duka, Letker / Nard Koka. Mafia 24 vit

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim