Durres- Çmimet e apartamenteve të reja në Durrës janë rritur, por kjo nuk nuk ka ndikuar në shitje. Përkundrazi interesi është i lartë nga të huajt dhe emigrantët që po investojnë në turizëm. Ata po blejnë apartamente, të cilat më pas i lëshojnë me qira ditore “airbnb”.

“Zona me kërkesën më të lartë mbetet Vollga, Qendra, dhe Bregdeti, nga ura e Dajlanit deri në Qerret të Kavajës. Tek Vollga për pallatet e vjetra, çmimi shkon 1000-1200 euro për metër/katror, për pallatet e reja edhe pse janë me gishtat e dorës, shkon 1400-1500 euro për metër/katror. Qytetarët e huaj në Shqipëri zënë 10%-15% të tregut, ndërsa pjesa tjeter janë shqiptarë, kryesisht emigrantët” thotë Florian Tahiri, agjent imobilar

“Vitin e fundit është vënë re kërkesë më e lartë nga të huaj, krahasuar me shqiptarët”, tregon Ermir Doraci, inxhinier ndertimi

Një apartament i vogël në vijën e parë të plazhit të Durrësit shkon deri në 100 mijë euro.

“Vija e parë e plazhit tek Rrota e Kuqe sapo kemi shitur një apartament 100 mijë euro, pra e kemi shitur me 2 mijë euro për katror. Preferohen apartamente të vogla dhe që kanë administrim të mire, ashensor dhe mirembajtje. Zona e plazhit në përgjithësi shkon 800-1000 euro metër/katror. E blejnë investitorët dhe e lëshojnë me qira ditore” tregon Florian Tahiri.

“Çmimet tek Plazhi i Vjeter, Shkembi i Kavajes dhe Golemi në momentet që flasim çmimi shkon 1800 euro për meter katror në vijën e parë të plazhit, më thellë shkon 1500 euro”, tregon inxhinieri Ermir Doraci

Gjetja e trojeve është bërë gjithnjë e më e vështirë dhe sytë e ndërtuesve janë kthyer nga bregdeti i Kallmit ku ka sipërfaqe të lira për komplekse rezidenciale.

“Në qytetin tonë ka shumë pak ndërtime të reja, edhe në plazh s’ka ndërtime. Po të shkojmë të shohim mund të jenë 1 ose 2 pallate, ka ndërtime vetem në Golem dhe Malin e Robit” thotë Florian Tahiri

 “Hapësira në zonat elitare është e reduktuar, përpos Currilave që ka ende tokë, por ka problematika të tjera sic është infrastruktura. Problematika është se janë zona të mbrojtura, dhe nevojitet ndërhyrja e shtetit nga ana ligjore, që të zbllokohet” thotë Ermir Doraci

Në bazë të statistikave, 15 për qind e blerësve të apartamente në Durrës janë shtetas të huaj dhe 85 për qind shqiptarë, ku përfshihen dhe emigrantët. Ndërsa sa i përket çmimeve janë 20 për qind më të larta, nëse i referohemi vitit 2022.