Një 43-vjeçar i dënuar me 12 vite burg për trafik droge në Itali është arrestuar pas një operacioni të policisë në Durrës.
Rexhep Muka alias Kreshnik Muka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.
Ndaj dënimit me 12 vite burg i ka mbetur për të vuajtur edhe 9 vite e 6 muaj burg.
“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në vijim të punës gjurmuese për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 82”.
Në kuadër të operacionit, në qytetin e Durrësit, nga Forcat Operacionale në bashkëpunim me DVP Durrës, u bë i mundur lokalizimi, identifikimi dhe ndalimi i personit në kërkim ndërkombëtar, shtetasit Rexhep Muka alias Kreshnik Muka, 43 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Apelit Cagliari/Itali, në vitin 2021, e ka dënuar me 12 vite burg (mbetur për të vuajtur 9 vite e 6 muaj burg), për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, njoftoi sot policia.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për realizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt Italisë.
Komente











