DURRËS- Policia e Durrësit arrestoi mbrëmë 7 persona të dyshuar për pjesmarrje në një rrjet prostitucioni, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në sajë të operacionit “Ura Dajlanit 2”, skuadra kundër trafiqeve të paligjshme pranë drejtorisë së policisë së qarkut Durrës vuri në pranga shtetasit Gentjan Tahiri, 22 vjeç, Xhanfranko Kiptiu, 21 vjeç dhe Bajame Ibrahimi, 47 vjeç, të cilët akuzohen për veprën penale të trafikimit të femrave .
 
Po ashtu, uniformat blu arrestuan edhe 4 femra me inicalet D.B. 20 vjeçe, F.K., 21 vjeçe, M.B., 17 vjeçe dhe E.I., 21 vjeçe, për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit.
Policia thotë se “shtetaset në fjalë janë kapur në flagrancë rreth ores 13.30 të ditës së djeshme tek vendi i quajtur “Ura e Dajlanit” në Durrës, duke ushtruar prostitucion kundrejt fitimit prej 2000 lekë”.

“Ndërkohë që, për 4 personat e tjerë të shpallur në kërkim, për arsye hetimi nuk bëhet i ditur identiteti i tyre, pasi dyshohet se rekrutonin e më pas trafikonin drejt Italisë për t’i shfrytëzuar për prostitucion femra shqiptare”, njofton policia në një deklaratë për mediat. Deri tani drejtoria e policisë ka vërtetuar se është kryer trafikimi drejt Italisë i të paktën 4 personave të moshës 17-21 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një shumë e konsiderueshme parash, dokumentat e identitetit të personave të përfshirë, 5 telefona celularë së bashku me kartat SIM, një sasi kontraceptivësh, etj. Policia vijon hetimet për arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal.
(su.fu/Shqiptarja.com)