Durrës, kufoma e gjetur në
det, mund të jetë e një të huaje

DURRES - Plot 48 orë pas gjetjes së trupit në 25 milje larg bregdetit të Durrësit policia ende nuk ka bërë identifikimin e kufomës por mjekët ligjorë kanë përfunduar autopsinë duke dhënë disa detaje të çmuara në lidhje me trupin e gjetur. "Sipas të dhënave kufoma është e seksit femër, me gjatësi trupore 145 cm, mbante të veshura të brendshme të zeza si dhe një bluzë të zezë, kishte flokë ngjyrë gështenjë me gjatësi rreth 10cm, 5 dhëmbë në nofullën e poshtme dhe 1 në nofullën e sipërme. Në trupin e viktimës nuk vihen re shenja dhune", - shkruhet ndër të tjera në raportin e mjekëve. Por ajo çka është më e rëndësishme është fakti se mjekët kanë përcaktuar se trupi ishte në një nivel shumë të lartë dekompozimi. "Vlerësojmë se trupi ka minimalisht tre javë që gjendet në det. Ky është një afat minimal pasi trupi mund të ketë dhe më shumë se një muaj e gjysmë që lundron në det. Kjo ka bërë që të dëmtohet shumë trupi dhe fytyra e viktimës ndaj dhe pjesët e raportit mjeko-ligjor që flasin për mungesën e shenjave të dhunës janë bërë me shënime përkatëse pasi i referohen mungesës së frakturave në kocka por nuk përjashtojnë një dhunim të viktimës ose mbytje të saj me forcë", - thanë dje burime nga spitali i qytetit të Durrësit.

Hetimi
Nga ana e saj policia e Durrësit pasi ka administruar raportin mjeko-ligjor dhe ka bërë krahasimet me personat e deklaruar si të zhdukur në Shqipëri ka arritur në konkluzionin se viktima e gjetur ka mundësi të larta që të mos jetë shtetase shqiptare. "Kemi bërë vlerësimet tona bazuar në të dhënat operative sa i përket personave të zhdukur. Kemi vlerësuar faktin se viktima është gjetur thuajse në ujëra neutrale dhe se nga raporti mjeko-ligjor ëhstë përcaktuar se ka afro një muaj që trupi i viktimës ka lundruar në gjendje të lirë. Nga krahasimi i këtyre të dhënave kemi krijuar bindjen se mund të bëhet fjalë për trupin e një shtetase të huaj", - thanë dje burime nga policia e Durrësit. Nisur nga ky konkluzion paraprak policia e Durrësit ka hyrë në kontakt me policitë homologe në zonat përreth për të bërë njoftimin në lidhje me gjetjen e kufomës me shpresë mos kjo ngjarje lidhet me ndonjë shtetase të deklaruar të humbur në vendet fqinje. "Jo vetëm në shtetinj fqinj të Italisë por edhe në kroaci dhe në Malin e Zi kemi çuar njoftimin në lidhje me gjetjen e kësaj kufome pasi mendojmë se shtetasia e viktimës është me shumë gjasa nga këto shtete. Shpresojmë që kjo ngjarje të zbardhet sa më shpejtë dhe në bashkëpunim me shkëmbimin e informacioneve me palët homologe",- tha dje një burim nga policia e Durrësit.

Trupi
Kufoma gruas është gjetur të martën në Durrës 25 milje larg bregut, ndërsa policia e këtij qyteti ka thënë se është ende duke bërë përpjekje për identifikimin e femrës së vdekur. Burime policore thanë se nuk ishin në gjendje të përcaktonin nëse gruaja kishte shenja dhune, por do të jenë ekspertizat ato që do të përcaktojnë një gjë të tillë. Nga kqyrja paraprake e kufomës mendohet se ajo mund të ketë disa ditë që ka humbur jetën. Policia ka kontrolluar për të gjitha rastet e denoncimeve të cilat kanë njoftuar zhdykjen e personave të afërm. Trupi i pajetë është gjetur pasditen e së martës, rreth orës 14.40. Fillimisht ka qenë Anija e peshkimit "Santa Ciza" ka konstatuar një kufomë, rreth 25 milje detare larg bregdetit të Durrësit e më pas nga anija është njoftuar Qëndra Operacionale Detare. " Menjëherë pas marrjes së informacionit, me urdhër të komandantit të Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, anija e gatshme e Rojës Bregdetare "R-117", është nisur në drejtim të vendit ku ndodhej kufoma. Operacioni i kërkimit zgjati rreth tre orë dhe përfundoi me gjetjen e një trupi të pajetë të seksit femër. Për procedimin e mëtejshëm me qëllim identifikimin e personit, si dhe të detajeve të tjera lidhur me këtë ngjarje, janë duke punuar ekspertët e Policisë së Qarkut të Durrësit", - shkruhej dje në njoftimin zyrtar të kapitenerisë së Durrësit.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit