Durrës- Dy persona të shpallur në kërkim kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit për vepra të ndryshme penale.

Njëri 27-vjeç ra në pranga për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve. I riu banues në Fushë Krujë ishte dënuar nga Gjykata e Krujës me 4 vjet e 8 muaj burg.

“Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të ushtruara në hyrje/dalje, nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port, Durrës, të bazuara në informacione policore dhe në analizën e riskut, janë  kapur 2 shtetas, që tentuan të kalonin kufirin, në kundërshtim me ligjin. 

Në vijim të veprimeve, u vunë në pranga shtetasit:

-G. B., 27 vjeç, banues në Fushë Krujë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Krujës, në vitin 2020, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve. Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Tiranë”,njoftoi sot policia.

Ndërkohë tjetri 28-vjeç gjatë një kontrolli nga Policia kufitare iu gjet një pasaportë, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi, të shtetit çek- të dyshuara të falsifikuara.

“M. M., 28 vjeç, banues në Tiranë, të cilit, gjatë kontrollit, në dalje të RSh-së, punonjësit e Policisë Kufitare i kanë gjetur një pasaportë, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi, të shtetit çek, me gjeneralitetet e tij, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Dokumentet e sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet më tej në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.